Njëri ndër nismëtarët e muzikës pop-rock në Kosovë, Nijazi Bytyqi, i cili me muzikën e tij kishte frymëzuar e kontribuar për zhvillimin e muzikës argëtuese, ka vdekur. Bytyqi, i cili vdiq të shtunën në moshën 72-vjeçare, u varros të dielën në qytetin e Prizrenit, shkruan sot “Koha Ditore”.
Kolegët e tij e kanë vlerësuar si këngëtar e kitarist të dalluar, që ka frymëzuar zhvillimin e muzikës pop-rock dhe madje jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe atë turke. Madje është propozuar që lamtumira e fundit për muzikantin nga Prizreni të jepet me këngët e tij në lokalet hoteliere të qytetit.
Lajmi për vdekjen e Nijazi Bytyqit është konfirmuar të shtunën nga djemtë e tij, që po ashtu tashmë janë kitaristë të njohur, Elvis dhe Gjulian Bytyqi.
“Me pikëllim lajmërojmë të afërmit dhe shokët tanë se më datë 3 mars 2018 ndërroi jetë babi ynë, Nijazi Bytyqi”, kanë bërë të ditur ata në rrjetet sociale.
Miqtë muzikantë të Bytyqit i kanë dhënë lamtumirën e fundit atij, duke ndarë fjalët më të mira për këngëtarin e ndjerë.
Bas-kitaristi Sheki Hoxha e ka cilësuar Bytyqin si njërin prej prijatarëve të pop-rockut në Kosovë.
“Lamtumirë të parit prej të parëve në pop & rock ‘n’rollin e Kosovës dhe mikut tim. Paq dheun e lehtë! Do të na mungosh Nijazi Bytyqi!”, ka shkruar Hoxha në rrjetin social Facebook.
Ndërsa kitaristi dhe mësimdhënësi Luan Sapunxhiu ka bërë të ditur se Bytyqi ka qenë një adhurues i rrallë i kitarës dhe muzikës në përgjithësi.
“Më preku dhe më pikëlloi thellë lajmi mbi vdekjen e mikut tim Nijazi Bytyqi (1947-2018). Ndër adhuruesit më të mëdhenj të këngës, kitarës dhe muzikës në përgjithësi që kam pasur rast ta njoh ndonjëherë”, ka shkruar ai.
Edhe Agim Arifi e ka cilësuar Bytyqin këngëtar të parë shqiptar të pop- muzikës, por njëkohësisht ka theksuar se ai ka qenë i pari që ka realizuar videoklip në gjuhën shqipe.
“Videoklipin e ka bërë ekipi i televizionit në vitet ’70 në Prizren. Në atë kohë nuk ka ekzistuar stacion televiziv në gjuhën shqipe. Shqiptarët e Kosovës kanë përcjellë programet e televizionit të ish-Jugosllavisë. Videoklipi është emetuar nga stacioni televiziv kroat në një emision zbavitës të quajtur ‘Të dielën pasdite’ (Nedeljom popodne), të cilin e ka udhëhequr Sasha Zalepugin nga Zagrebi. Ai emision është përcjellë në tërë shtetin e atëhershëm”, ka bërë të ditur Arifi në një koment në rrjetet sociale.
Në anën tjetër, gazetari dhe publicisti Fahri Musliu në ditën e varrimit të Bytyqit ka dalë me një propozim për t’ia dhënë lamtumirën e fundit në mënyrë të dinjitetshme.
“Propozoj që sot, mundësisht nëpër kafenetë dhe restorantet në qendër të Prizrenit, të lëshohet muzikë me këngët e Nijazi Bytyqit që dje ndërroi jetë dhe kështu t’ia japim mirënjohjen, respektin dhe lamtumirën qytetare yllit të këngës argëtuese e qytetare, që tek ne po mungon. Me këtë tregojmë se jemi qytet që i vlerësojmë krijuesit në kulturë”, ka propozuar Musliu.
Ata që e kanë njohur nga afër kanë treguar se Nijazi Bytyqi ka qenë një person modest, i cili pas arritjes së namit me muzikën e tij gradualisht është tërhequr nga jeta publike. Por dashuria e tij për këngën e kitarën nuk është venitur asnjëherë, sado që paraqitjet e tija mediale kanë qenë të rralla.
Në njërën nga radio-intervistat e realizuara para katërmbëdhjetë vjetësh, Bytyqi kishte thënë se interesimi i tij për muzikën ka nisur në moshën 6 apo 7- vjeçare për faktin se babai i tij e donte atë dhe njëherësh këndonte bukur.
“Këtë besoj se e ka bartur edhe tek unë”, kishte thënë ai, duke pranuar se në fëmijëri ka dëgjuar shumë muzikë, derisa një ditë ka marrë një kitarë dhe ka shkuar në SHKA “Agimi”, ku nga dy kitaristë më të moshuar ka nisur t’i mësojë akordet e para, meqë edhe ka qenë i influencuar nga muzika spanjolle, por edhe rok-grupi “The Beatles”.
Pas arritjes së një niveli, në vitet ‘70, sipas tij, ai me grupin e tij “Merimangat” paraqiten në një koncert në Prizren, ku të pranishëm kanë qenë edhe producentët nga Prishtina dhe kësisoj marrin ofertë për incizimin e këngëve të para.
“Eja e dashur” është njëra prej hiteve të kënduara nga Bytyqi me formacionet e tij muzikore. Ngjashëm në Prizren dhe më gjerë njihet edhe për këngën në gjuhën turke “Beni Unutma”. Pas Prishtinës, Bytyqi me grupin e tij kanë incizuar edhe në Kroaci. Ka bërë muzikë me grupet “Merimangat”, “Therandos” dhe “Luniaz”. Pas arritjes së famës ai gradualisht është tërhequr nga paraqitjet publike, por jo edhe nga kënga e kitara, të cilat e kanë shoqëruar pothuajse gjatë tërë jetës edhe në gjirin familjar. Të njëjtin pasion e ka bartur edhe te dy djemtë e tij, Elvisi dhe Gjuliani, që janë kitaristë të shquar.