Pavarësisht se situata në akset nacionale është përmirësuar, shumë fshatra mbeten ende të izoluar. Rrugët që banorët duhet të përshkojnë për të marrë ushqim dhe që i lidhin me këto akse janë mbuluar me dhjetëra centimetra dëborë.
Janë vetë banorët që kërkojnë ndihmë. Një banor, i hipur mbi gomar, raporton me ironi nga bregu i lumit në njësinë administrative Shalë, në Shkodër: “Falenderoj kryeministrin dhe kryetaren e Bashkisë Shkodër që na sollën fadromën dhe na hapën rrugën. Dhe kur dalim në televizor na thonë që mos të themi që bie shumë”.
Që prej valës së acarit që ka përfshirë vendin, video të tilla në numrin e “Ti Raporton” në Top Channel vijnë çdo ditë. Banorët flasin vetë ose demonstrojnë sa e vështirë është të ecesh në dëborë.
Ka fshatra ku banorët marrin lopata të pastrojnë çfarë të munden ose përdorin kafshët e punës për të sheshuar disi borën si në Nikç të Kelmendit.
Edhe në njësinë administrative Kalis në Kukës, sipas banorëve, situata është e njëjtë në të pesë fshtrata e kësaj njësie.
Më në jug, nga rruga Çorovodë-Gjerbës banorët dërgojnë foto dhe thonë se nuk ka kaluar asnjë fadromë. Sipas tyre është sheshuar vetëm nga makinat e larta dhe se nuk mund të kalohet me zinxhirë nga mjetet e vogla.
Këto pamje ndërkohë kanë ardhur nga juglindja nga fshati Popçisht, në Maliq.
Situata mbetet emergjente për këta banorë, edhe pse ka njerëz që punojnë natë e ditë, si punonjësit e fadromave që kanë filmuar video gjatë punës për hapjen e rrugëve të fshatrave të Dibrës ku mbeten ende të bllokuar gati 30% e tyre.