Dhjetra burra dhe djem irakianë janë zhdukur me forcë nga forcat irakiane të Sigurisë që nga viti 2014, sipas Human Rights Watch (HRW).
Në një raport të publikuar të enjtën, grupi i të drejtave të njeriut, tha se 74 persona, kryesisht arabë sunitë dhe katër djem janë zhdukur midis muajit prill të 2014-ës dhe tetorit të 2017-së, në kuadër të operacioneve kundër terrorizmit.
Që nga viti 2014, forcat pro-qeveritare kanë kryer operacione për të gjetur luftëtarët dhe mbështetësit e Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit (ISIL), shkruan Al Jazeera.
Rastet janë pjesë e një tendence të vazhdueshme sipas HRW, të cilët thonë se vazhdon të marrë raporte për zhdukje në Irak.
“Familjet në të gjithë Irakun, baballarët dhe bijtë e të cilëve u zhdukën pasi forcat irakiane i arrestuan, janë të dëshpruar për t’i gjetur të dashurit e tyre”, ka thënë zëvëndës drejtorja për Lindjen e Mesme në HWR, Lama Fakih.
“Pavarësisht kërkimeve ndër vite dhe kërkesave ndaj autoriteteve irakiane, Qeveria nuk ka dhënë përgjigje se ku janë apo nëse janë gjallë”.
Zyrtarët irakianë nuk iu përgjigjen pyetjeve të familjeve dhe HWR-së për të zhdukurit.
Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur vlerëson se numri i personave të zhdukur në Irak varion nga 250 mijë në një milion njerëz.
Sipas Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, Iraku ka numrin më të madh të personave të pagjetur në botë.
HRW thotë se zhdukjet me forcë janë kryer nga një sërë entitetesh ushtarake dhe të sigurisë dhe në raport, HRW u kërkoi autoriteteve irakiane të krijojnë një komision të pavarur hetimor.
Vende të tilla si SHBA, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca që kanë ofruar ndihmë ushtarake, të sigurisë dhe të inteligjencës në Irak duhet të pezullojnë bashkëpunimin e tyre derisa qeveria të marrë masa për t’i dhënë fund shkeljeve të të drejtave të njeriut, bëri të ditur HRW.