Në 2015-ën mijëra vetë u përpoqën të gjejnë me kërkesa për azil një vend pune në Gjermani. Qeveria gjermane krijoi një alternativë. Atë po e shfrytëzojnë gjithnjë e më shumë vetë.
Për shumë të papunë në Ballkanin Perëndimor Gjermania është vendi i ëndrrave. Programi i nisur një vit më parë për punëtorët imigrantë nga Ballkani Perëndimor ka gjetur jehonë të mirë në rajon. Në njëmbëdhjetë muajt e parë të vitit 2016, Agjencia Federale për Punën (BA) u dha leje pune – zyrtarisht miratim paraprak – tri herë më shumë meshkujve dhe femrave nga Ballkani Perëndimor se në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo rezulton në një bilanc provizor të Agjencisë me qendër në Nyrnberg.
Deri në fund të nëntorit patën marrë leje nga Agjencia për të punuar në Gjermani rreth 50.000 shqiptarë, boshnjakë, serbë, malazezë, maqedonas dhe kosovarë. Për këtë ata qenë të detyruar të paraqisnin një ofertë të caktuar që e kanë pasur nga Gjermania për punë ose për të kryer një kurs kualifikimi. Midis janarit dhe nëntorit 2015, një leje të tillë e morën vetën 16 500 vetë.
Qeveria federale gjermane reagoi me programin për punëtorët imigrantë ndaj rritjes masive të numrit të azilkërkuesve nga Ballkani Perëndimor. Meqenëse shumica patën ardhur për shkak të punës në Gjermani, Zyra Federale për Migrimin dhe Refugjatët (BAMF) i refuzoi gati 100 përqind kërkesat e tyre për azil. Rregulli i ri u lejon njerëzve nga Ballkani Perëndimor që të vijnë si imigrantë punë në Gjermani – me kusht që të mos kenë përfituar në dy vitet e fundit shërbime nga ligji për shërbimet ndaj azilkërkuesve.
Më shumë aplikime nga Kosova
Sipas agjencisë gjermane të lajmeve, dpa, ata që e përdorin më shumë programin janë kosovarët: numri i lejeve të punës të dhëna kosovarëve në njëmbëdhjetë muajt e parë të 2016-ës u shtua me 263 përqind, duke arritur 16400 leje pune të dhëna, i ndjekur nga boshnjakët me 15 400 vetë (shtesë prej 245 përqind) dhe serbët me 10350 leje pune të dhëna (një shtesë prej 283 përqind). Në më shumë se 10.000 raste, Agjencia Federale e Punës i refuzoi kërkesat nga Ballkani Perëndimor.
Ministria Federale e Punës ndërkohë tërheq vëmendjen në faktin se jo çdo dhënie miratimi paraprak për të nisur punë në Gjermani bëri që të prekurit të largoheshin nga atdheu në drejtim të Gjermanisë. Këtë e tregon numri i vizave të punës të dhëna në fakt nga përfaqësitë diplomatike gjermane në botën e jashtme. Deri në fund të nëntorit, sipas dijenisë së Ministrisë, të cituar nga dpa, u dhanë vetëm 14426 viza pune ndaj qytetarëve të gjashtë shteteve ballkanike. Por numri i miratimeve paraprake për leje pune megjithatë ishte katër herë më i lartë.
Vetë Ministria e Jashtme gjermane flet për 21000 kërkesa të përpunuara për një vizë pune në përfaqësitë diplomatike në Beograd, Podgoricë, Prishtinë, Sarajevë, Shkup dhe Tiranë. Ky numër i përfshin edhe kërkesat e refuzuara. Ministria e Jashtme gjermane bën të ditur se “përmes rregullit të ri për shtetet e Ballkanit Perëndimor, mundësitë e imigrimit për punës janë zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme, kështu që në bazë të kësaj kemi një rritje të madhe të shifrave të atyre që kërkojnë viza”. (DW)