Shumë klinika në QKUK me ushtrues detyre, Haxhiu beson se “kjo është njëfarë forme për t’i kontrolluar”

Prishtinë | 26 Shk 2023 | 08:01 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Për më shumë se gjashtë muaj, disa klinika në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) vazhdojnë të udhëhiqen me ushtrues detyre. Ndërsa në disa klinika ku janë emëruar drejtorë, ka probleme me ligjin ose akuza për emërime politike, raporton Ekonomia Online. 

Deputetë të Kuvendit të Kosovës, nga pozita dhe opozita, e vlerësojnë problematike mungesën e përzgjedhjes së drejtorëve, derisa fajin kryesor ia lënë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Bordit të ShSKUK-së. 

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Burim Meta, ka thënë se shkaku që klinikat janë me ushtrues detyre është për fajin e disa anëtarëve të Bordit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK). 

Ai thotë se një ushtrues detyre, nuk mund të jetë i suksesshëm si një drejtor me kompetenca të plota. 

“Ne fatkeqësisht e kemi edhe drejtorin e ShSKUK-së me pozitë të tillë. U bë siç u bë puna dhe po shpresoj që së shpejti do ta kemi edhe drejtorin e përzgjedhur përmes konkursit. Mirëpo vlerësoj se pavarësisht sa është numri i atyre drejtorëve të cilët nuk e kanë të mirëqenë nga aspekti administrativ pozitën e tyre si drejtor, mendoj se nuk mund ta kenë suksesin e duhur dhe të pritshëm një ushtrues detyre sikurse një drejtor i zgjedhur”, u shpreh Meta.

Ai ka përmendur edhe largimin nga pozita e drejtorit të Klinikës së Onkologjisë, dy javë pasi ishte emëruar në këtë pozitë. 

Siç thotë Meta, disa anëtarë të Bordit kanë dëshirë të “haliten” në punën e tjerëve. 

“Po ne kemi rastin e një drejtor i sapozgjedhur pas një apo dy jave kërkon të lirohet nga detyra. Kjo nuk është humane, nuk mendoj që është punë e mirë. Nuk dua të besoj që mundet të ketë presione në punë, nuk dua të besoj se mund të ketë ndonjë shantazh apo sabotim të drejtorëve në punë, e sidomos tek mantelbardhët të cilët nuk mund ta përballojnë një gjë të tillë. Disa anëtarë të Bordit kanë qejf ngapak me u ‘halit’ në punën e tjerëve, ndoshta edhe kjo mund të jetë. Nuk dua të flasë me emra por unë mendoj se disa anëtarë të cilët janë pjesë e Bordit nuk e kanë vendin në Bord”, thotë ai.

E deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, mosemërimin e drejtorëve i sheh si mundësi për t’i kontrolluar dhe shantazhuar ata. Thotë se fajin kryesor e kanë Bordi i ShSKUK-së dhe Ministria e Shëndetësisë. 

“Është papërgjegjësi e Ministrisë së Shëndetësisë dhe e Bordit të ShSKUK-së që tani e më shumë se 6 muaj ka shumë pozita udhëheqëse të cilat janë me ushtrues detyre kjo është njëfarë forme për t’i kontrolluar dhe për t’i shantazhuar ushtruesit e detyrës, për t’i pasur impakt edhe Bordi i ShSKUK-së edhe Ministria e Shëndetësisë tek këta udhëheqës në sektorin e shëndetësisë”, u shpreh Haxhiu.

Sipas tij, prioritet i Qeverisë për sektorin e shëndetësisë është bërë më shumë si biznes. Ai konsideron se ka pasur edhe emërime me baza partiake. 

“Sigurisht zbatimi i ligjit, sepse duhej të shpallej konkurs dhe të zgjidheshin sipas konkursit sipas ligjit për shëndetësi apo sipas statutit të ShSKUK-së dhe tek shumica e këtyre rasteve kemi pasur emërime politike ose zgjedhje politike, joprofesionale dhe të bazuara në aspektin profesional”, tha Haxhiu.

Ndërsa deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Valentina Bunjaku, ka thënë se krahas klinikave që janë me ushtrues detyre, mungojnë edhe shërbimet esenciale.

“Po fillimisht kjo është padrejtësi ndaj palëve që shkojnë në këto shërbime sepse tanimë e dimë që shërbimet esenciale mungojnë në spitalet tona dhe në QKMF tona, dhe është e padrejtë që do të mbeten me ushtrues detyra pozita menaxheriale dhe pozita të rëndësishme të cilat i ndihmojnë dhe i shërbejnë qytetarët tanë”, u shpreh ajo.

Të ngjashme