Plot katër basketbollistë të Përfaqësueses U-18 janë përfshirë në listën e zgjeruar të Përfaqësueses A të Kosovës në basketboll. Përfaqësuesja seniore të enjten ka nisur përgatitjet për ndeshjen ndaj Maqedonisë që luhet më 13 shtator, në kuadër të raundit të dytë të parakualifikimeve për “Eurobasket 2021”.
Në listë janë 24 lojtarë, por jo të gjithë kanë mundur t’i përgjigjen pozitivisht ftesës. Në mesin e këtyre 24 lojtarëve janë edhe katër basketbollistë që me U-18 të Kosovës muajin e kaluar fituan Kampionatin Evropian të Divizionit C (niveli i tretë) që u mbajt në Prishtinë, shkruan sot Koha Ditore.
Rron Ukaj, Erhan Sholla, Meriton Ismaili e Dardan Kapiti janë në Përfaqësuesen A prej lojtarëve që u paraqitën me Përfaqësuesen U-18. Ukaj, që ishte shpallur lojtari më i vlefshëm i evropianit të Divizionit C, për herë të parë të enjten ka stërvitur me seniorët e Kosovës.