Shumica e britanikëve duan që Brexit-i të shtyhet

Prishtinë | 10 Shk 2019 | 11:08 | Nga Ekonomia Online

Sipas një ankete të bërë nga gazeta e njohur britanike, “Independent”, shumica e popullit britanik dëshiron që kryeministrja May ta shtyjë për një datë tjetër daljen e vendit nga Bashkimi Evropian, kur kanë mbetur vetëm edhe 47 ditë deri në afatin e fundit për ta marrë një vendim.

Kanë mbetur më pak se shtatë javë deri në daljen e detyrueshme të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, ndërsa sipas anketës së organizuar nga gazeta britanike, 53 për qind e votuesve e përkrahin shtyrjen e afatit për daljen e vendit të tyre nga BE-ja. Ky rezultat mund t’ia hapë derën mbajtjes së referendumit të dytë ose vazhdimit të negociatave me Brukselin.

Disa ministra të kabinetit qeveritar e kanë përkrahur zgjatjen e Nenit 50 për një periudhë të shkurtër për ta mundësuar miratimin e legjislacionit në Dhomën e Ulët. Rezultatet e anketës tregojnë se me qëndrimin e këtyre ministrave pajtohen edhe shumica e popullsisë.

Rreth 33 për qind e personave të anketuar kanë deklaruar se e mbështesin daljen e Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje, ndërsa 14 për qind nuk kanë pasur qëndrim të caktuar. Megjithatë, 49 për qind e njerëzve besojnë se dalja pa marrëveshje do të ishte katastrofë ekonomike që do të shkaktonte pasoja të gjata, ndërsa 28 për qind e votuesve nuk pajtohen me këtë qëndrim, shkruan “Independent”, transmeton Gazeta Express.

Të ngjashme