Deri në tre të katërtat e refugjatëve që kanë mbërritur së fundmi në Gjermani do të jenë ende pa punë në pesë vitet e ardhshme.
Ky është paralajmërimi i komisioneres gjermane për Integrimin e Refugjatëve, Aydan Ozoguz,e cila në një prononcim për “Financial Times” tha se Gjermania përballet me sfida në integrimin e popullatës së madhe të refugjatëve.
Sipas Ozoguz, vetëm një e katërta deri tek një e treta e të ardhurve rishtazi do të mund të hyjnë në tregun e punës në pesë vitet e ardhshme. “Për shumë të tjerë do të na duhen deri në 10 vjet”.
Fillimisht mbërritja e shumë refugjatëve në moshë pune dhe shumë të motivuar përhapi optimizëm se ata do të plotësonin mangësitë e mëdha të Gjermanisë për krah pune.
CEO-ja i prodhuesit të makinave Daimler, Dieter Zetsche, madje shkoi deri aty sa tha se refugjatët do të hidhnin themelet e “mrekullisë tjetër ekonomike të Gjermanisë”.
Mirëpo, Ozoguz tha se koha tregoi që refugjatët kishin mangësi kualifikimesh dhe aftësive të gjuhës gjermane.
“Ka pasur një ndryshim perceptimesh”, tha ajo.
Ozoguz tha se shumë prej refugjatëve sirianë që mbërritën në Gjermani ishin mjekë dhe inxhinierë, por më pas mbërritën shumë që nuk kishin profesione.
Statistikat nga Agjencia Federale e Punës treguan se papunësia mes refugjatëve në Gjermani ngelet në 17 për qind. Agjencia tha se 484 000 refugjatë po kërkojnë punë, krahasuar me 322 000 refugjatë që ishin në kërkim të një pune korrikun e kaluar.
Ozoguz tha se prioriteti i qeverisë gjermane nuk ishte t’u gjente punë sa më parë refugjatëve, por të sigurohej që ata do të mësonin gjuhën gjermane dhe trajnimet e duhura për ekonominë industriale të avancuar.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila kërkon një mandat të katërt në krye të shtetit, është kritikuar ashpër për politikën e saj të “dyerve të hapura” përballë refugjatëve që i janë larguar luftërave në Lindjen e Mesme.
Ajo shpjegoi se dekada më parë, refugjatët futeshin në punë sapo mbërrinin dhe nuk flisnin gjermanisht as pas shumë vitesh.
Rreth 1.3 milionë refugjatë kanë arritur në gjermani që prej nisjes së vitit 2015, shumica dërrmuese e të cilëve nga Siria dhe Iraku.