Si e thumboi Borell Trumpin për dialogun Kosovë -Serbi

Prishtinë | 30 Jan 2020 | 16:42 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell, nga Prishtina ka kritikuar politikën e jashtme të administratës së Trump e në veçanti në raport me dialogun Kosovë-Serbi.

Një gjë të tillë Borell e ka thënë kur është pyetur rreth planeve  të SHBA’së dhe punën  që po e bënë përfaqësuesi Special, Richard Grenell.

Borell ka thënë se SHBA-ja kanë shumë plane, megjithatë sipas tij ka dallim në mes të pasurit një plan dhe realizimit të tij suksesshëm, duke përmendur këtu edhe iniciativën e Trumpit për Lindjen e Mesme dhe Korenë Veriore.

 Megjithatë krye diplomati evropian ka thënë se janë të angazhuar në çështjen e dialogut Prishtinë-Beograd dhe se nuk do të bëjnë gara me SHBA’në lidhur me këtë çështje. Borell ka thënë se në cështjen e zgjidhjes finale Kosovë-Serbi do të punojnë së bashku me Amerikën.

“Amerikanët kanë shumë plane. Për Lindjen e Mesme, Korenë dhe për këtu. Është një çështje të kesh plan, dhe çështje tjetër të angazhohesh për të pasur sukses. Ne kemi investuar më shumë se 1 miliard. Nuk po bëj garë me amerikanët, do të punojmë së bashku dhe nuk do të ketë ndasi. Ne nuk jemi këtu të vendosim fajin njeri tjetrit. Ne  ndoshta nuk jemi mjaft të zëshëm por jemi mjaft të involvuar në këtë çështje”, ka thënë Borell.

Në një deklaratë të thënë të mërkurën ekskluzivisht për Gazetën Express, Richard Grenell, kishte pohuar se në punën e tij të deritanishme nuk kanë qenë të përfshirë as BE’ja e as Gjermania e Franca, duke treguar kështu për një mungesë bashkëpunimi SHBA-Evropë rreth problemit Kosovë-Serbi.

E sipas presidentit të Kosovës nuk mund të arrihet një marrëveshje finale Prishtinë-Beograd pa pasur fillimisht unitet brenda Bashkimit Evropian dhe më pas edhe koordinim të ngushtë me Washingtonin.

Presidenti Thaçi gjithashtu ka lavdëruar punën e ambasadorit Richard Grenell, duke përmendur arritjen e shpejtë të dy marrëveshjeve që sipas tij BE’ja nuk kishte arritur t’i realizonte.

“Sa i përket dialogut, jetike është që BE të jetë unik në raport me dialogun Kosovë-Serbi. Por që të ketë sukses real duhet të ketë koordinim SHBA- BE, pa këtë bashkëpunim s’mund të ketë sukses. Roli i ShBA’së është i pa zëvendësueshëm. Grenell ka bërë punë të jashtëzakonshme.  Marrëveshja finale është jetike për Ballkanin Perëndimor”, ka potencuar Hashim Thaçi.

Lidhur me dialogun Kosovë-Serbi, presidenti i vendit gjithmonë ka kërkuar bashkëpunim dhe përfshirje të SHBA-së.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme