“Si e verdhë e sëmurë” nga Kosova me fusnotë, merr çmim në Beograd

Prishtinë | 29 Maj 2024 | 08:03 | Nga Ekonomia Online

Me çmimin për filmim me të mirë të shkurtër e ka përmbyllur rrugëtimin në Beograd, filmi “Si e verdhë e sëmurë” i Norika Sefës. Ka triumfuar në edicionin e 17-të të Festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar “Beldocs” që përshkruhet si “oponencë absolute e çdo censure, autocensure apo frenimi të krijimtarisë artistike”. Megjithatë, politika edhe këtu ka shenjën e vet. Filmi “vjen” nga Kosova me fusnotë, e për zyrtarët institucionalë të vendit për këtë duhet të pyeten politikanët
“Si e verdhë e sëmurë” i Norika Sefës është shpallur filmi më i mirë i shkurtër në Festivalin ndërkombëtar të filmit dokumentar “Beldocs” në Beograd. Festivali që zë fill prej vitit 2008 në edicionin e 17-të prej 22 deri me 28 maj ka shfaqur 103 filma, prej tyre një premierë evropiane, 59 rajonale e 24 serbe.

“Si e verdhë e sëmurë”, kishte premierën sivjet në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Rotterdam. Dokumentari i Sefës – emër i njohur i gjeneratës së re të kineastëve – merret me të kaluarën. Videokasetat familjare janë subjekt i këtij projekti që ka garuar në Beograd, ku Kosova është paraqitur me fusnotë dhe shpjegimin për mosparagjykim të statusit të saj.

Sipas përshkrimit që i bëhet projektit kinematografik që është përkrahur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, filmi është një thurje nga materialet arkivore të videokasetave të tregimeve familjare që nuk janë më.

“Ai zhytet në kujtesën e Norës, ku realitetet shkrihen, hapësira e jetës bëhet skenë e rutina performancë”, shkruhet në shpjegim.

Dokumentari 23-minutësh prodhim i shtëpisë fimike “CMB”, me producent Mentor Shalën e bashkëproducent Besnik Krapin është vlerësuar lart në festivalin që synon të jetë “oponencë absolute e çdo censure, autocensure apo frenimi të krijimtarisë artistike”.

Producenti Mentor Shala ka thënë se është ndjenjë shumë e mirë kur të vlerësohet filmi nga kolegët profesionistë. Për këtë ka përmendur dy arsye.

“E para se shpërblehet puna dhe koha që është investuar në krijimin e këtij filmi, e dyta si rikonfirmim që vizioni dhe ideja jonë është përcjellë te publiku ashtu siç e kemi menduar”, ka thënë ai. Ka sqaruar se “Si e verdhë e sëmurë” është film eksperimental i një regjisoreje profesionale dhe shumë të talentuar, i subvencionuar nga QKK-ja

“Është punuar duke rimontuar materiale nga videot familjare, për të përçuar një ide të pritjes dhe ankthit të kohës së para luftës në Kosovë”, ka thënë Shala. Ka treguar se menjëherë pas përfundimit të filmit kanë siguruar agjent shitjeje kompaninë “Square Eyes Films” nga Vjena.

“Planifikojmë që këtë film ta shfaqim edhe në shumë festivale të tjera, kështu që ky është vetëm fillim i rrugëtimit”, ka shtuar Shala.

Lajmi për këtë çmim të marrë në Beograd është shpërndarë nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Drejtoresha e QKK-së, Blerta Zeqiri ka thënë se arti është universal dhe nuk njeh kufij.

“Na gëzon pa masë ky lajm për fitoren e filmit të shkurtër te Norika Sefës në festivalin ‘Beldocs’. Filmat e Kosovës po bëjnë histori gjithandej nëpër botë duke folur për tema personale, por njëkohësisht edhe universale të cilat komunikojnë me çdo njeri anembanë botës”, ka thënë ajo. E pyetur për paraqitjen e Kosovës me fusnotë, ka thënë se për këtë duhet të përgjigjen politikanët.
“Kosova me fusnotë është shkruar edhe në Festivalin e Sarajevës, edhe në Spanjë edhe në shumë vende të tjera”, ka thënë Zeqiri.

Marrëdhëniet kulturore midis Kosovës e Serbisë mbesin në kuadër të iniciativave të pavarura. Shkëmbimi i shfaqjeve, shfaqja e ndonjë filmi a botime të përbashkëta të organizatave joqeveritare janë emëruesi i përbashkët i kulturës. Por në raste të tilla Kosova nuk paraqitet me fusnotë. Kjo nuk ndodh as në festivalin “Mirëdita, dobar dan!”.

Por kishte raste edhe kur organizime në Beograd refuzonin të përmendnin Kosovën. Në vitin 2020 ishte punë e kryer pjesëmarrja e Petrit Halilajt në Bienalen e Beogradit. Por krejt kjo situatë ndryshoi kur u desh të shënohej se prej nga vinte artisti. Organizatorët refuzuan ta përmendnin Kosovën e Halilaj refuzoi të marrë pjesë. Me një letër të gjatë, artisti i njohur kishte numëruar arsyet e kishte shpalosur edhe historinë e regjimit serb ndaj Kosovës. Kishte thënë se ka shpresuar që arti ta tejkalojë politikën, por në këtë rast është zhgënjyer.

“Në botën time të ëndrrave, ëndërroj që njerëzit të lëvizin lirshëm, pa përjashtim të kufijve gjeografikë dhe barrierave kulturore, ashtu siç më pëlqen të imagjinoj se bëjnë zogjtë. Por ne jemi ende larg, shumë larg nga çdo afërsi e realizimit të kësaj ëndrre”, kishte shkruar ai midis të tjerash.
Sa i përket kinematografisë, shteti serb është në ofensivë që nëpërmjet kinematografisë t’i paraqesë shqiptarët e Kosovës si terroristë. Por kinematografët e Kosovës në dekadën e fundit janë në tjetër stad të krijimtarisë. Kanë marrë hov nëpër festivale ndërkombëtare.

Regjisorja Sefa me “Si e verdhë e sëmurë” në janar ishte rikthyer pas dy vjetëve në këtë konkurrencën e Festivalit të Rotterdamit. Gjatë vitit 2021 me “Në kërkim të Venerës” filmi bëri histori duke u bërë projekti i parë nga Kosova që u përfshi në garën zyrtare të Festivalit të njohur të filmit në Rotterdam të Holandës. Suksesin e vulosi duke u bërë po ashtu filmi i parë kosovar i shpërblyer në këtë ngjarje, me çmimin special të jurisë në kategorinë “Tiger Competition”. Kurse në janar Sefa në edicionin e 53-të të festivalit në qytetin holandez u shpalosën historitë magjepsëse nga video-kasetat.

“Ne vëzhgojmë ritualet e familjeve në VHS të degraduar. Një zë gruaje përsërit: ‘Ajo ishte aq e lumtur sa ata u martuan me të këtu, në këtë shtëpi’. Një re e rëndë lufte shfaqet në distancë të afërt. Norika Sefa, fituesja e Çmimit Special të Jurisë për Kërkimin e Venerës (IFFR 2021), rikthehet në festival me këtë përrallë misterioze dhe magjepsëse për jetët që nuk janë më aty”, shkruhej për filmin 23-minutësh të regjisores Sefa. Filmi “Si e verdhë e sëmurë” ishte shfaqur më 28 dhe 29 janar ku regjisorja ishte e pranishme, ndërsa shfaqjen tjetër e kishte më 1 shkurt.

Pos “Si e verdhë…” në “Beldocs” në programin e projeksioneve të veçanta është shfaqur edhe dokumentari për aktorin e madh Bekim Fehmiu, nën regji të Valmir Tërtinit, por që ka përfaqësuar Shqipërinë.

Të ngjashme