Si i shpëtoi Qalaj Albin Kurtit e u shkarkua në fund nga Hoti

Prishtinë | 16 Tet 2020 | 18:17 | Nga Ekonomia Online

Rashit Qalajt sot i erdhi fundi në krye të Policisë së Kosovës, por shkarkimi i ishte thirrur edhe më herët. Qalaj, që VV më parë e shihte si njeri të SHIK’ut, i shpëtoi pushtetit të Kurtit. Ekzekutuesi i dhjetëra shkarkimeve e kurseu drejtorin e Policisë. Qalajn në fund e largoi kryeministri Avdullah Hoti.

Drejtori i shkarkuar i Policisë, që ishte emëruar nga Ramush Haradinaj, por që i ishin përmendur gjithmonë lidhjet me zyrtarë të lartë të PDK’së, i shpëtoi edhe ish-kryeministrit Albin Kurti.

Gjatë qeverisjes së Kurtit, shumë herë u përmend mundësia që Qalaj të lirohej nga detyra. Sepse ish-kryeministri po shkarkonte çdo ditë formacione të ndryshme në krye të institucioneve të shtetit. Këdo që e konsideronte se ka ardhur në pushtet me lidhje politike të pushtetarëve të mëhershëm.

Mirëpo, Kurti, i pyetur rreth shkarkimit të Qalajt, thoshte se nuk e ka sugjeruar asnjëherë largimin e tij, e këtë nuk e kishte kërkuar as atëherë ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të  Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Për besë nuk e di. Duhet të vij nga ushtruesi i detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme. Unë nuk kam sugjeruar gjë”, pati thënë Kurti në RTK.

Edhe Qalaj nuk ishte i sigurt nëse do t’i shpëtonte Kurtit, por në Televizionin 7 kishte thënë se nuk preokupohet se a e shkarkohet ose jo.

“Kjo është pyetje që besoj duhet t’ia drejtoni Qeverisë së Kosovës. Ne, Policia e Kosovës ajo që është në mandatin tonë është ta kryejmë detyrën tonë sa më mirë që është e mundur dhe ky është preokupimi ynë kryesor”, ka thënë Qalaj.

Qasja e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj Qalajt nuk ka qenë më herët neutrale, siç ndodhi kur Kurti e udhëhoqi Qeverinë.

Në vitin, 2016, kur Qalaj ishte drejtor i Operacioneve në Polici, VV e quante atë njeri të SHIK’ut.

“Rashit Qalaj – Drejtues i Departamentit të Operacioneve në Policinë e Kosovës (udhëheqës i pothuajse secilit operacion kundër opozitës dhe kundër protestave) – duke ngrënë darkë në vilën e Elmi Reçicës – njëri nga drejtuesit kryesorë të SHIK-ut dhe deputet i PDK-së në Kuvend”, thuhej në postim.

Vitet kaluan, Kurti u bë kryeministër, e Qalaj sillej si një vartës i bindur i tij. Kurti, edhe pse raportohej se do ta shkarkonte Qalajn, e kurseu atë.

Takimi i parë publik i Qalajt me Kurtin u shënua me cakërrim gotash.

Gjatë një ndeje në fund të vitit 2019, në Katedralen “Shën Tereza”, Kurti fitues i zgjedhjeve por akoma pa u zgjedhur kryeministër, u pa disa herë në shoqërinë e Qalajt.

Megjithatë, fundi drejtorit të Policisë në këtë pozitë i erdhi sot kur Kryeministrit Hoti nxori vendim për shkarkimin e tij.

Zyrtarisht nuk dihet arsyeja, ndërsa Gazeta Express ka mësuar se si arsyetim është dhënë “përformanca e dobët”. 

Qalaj ishte zgjedhur drejtor i Policisë nga Qeveria Haradinaj, në gusht të vitit 2018.

Ndërkaq, Albin Kurti e udhëhoqi Qeverinë e Kosovës nga 4 shkurti deri më 25 mars, kur u rrëzua me mocion mosbesimi. Ai qëndroi në detyrë deri më 3 qershor, kur kryeministër i ri u zgjodh Avdullah Hoti. 

Të ngjashme