Informacioni për arrestimin e refugjatit 16-vjeçar në Këln erdhi nga një shoqatë myslimane. Marwan Abou Taam nga Zyra e Policisë Kriminale e Landit shpjegon rolin e shoqatave në luftë kundër terrorit.
DW: A kemi të bëjmë me një rast të veçantë, që një shoqatë myslimane u jep autoriteteve gjermane një informacion të tillë?
Marwan Abou Taam: Policia në gati të gjitha lendet gjermane zhvillon një dialog intensiv me shoqatat islamike, punonjësit e policisë ndodhen në komuna. Vitet e fundit, përmes kontakteve personale atje është krijuar një raport besimi.
Kjo do të thotë se rrugët për të kryer një punë janë shkurtuar dhe barrierat e komunikimit janë eliminuar. Kështu mund të rrjedhin edhe informacione të tilla. Megjithatë, aktualisht ne mund të flasim vetëm për një numër shumë të vogël informacionesh të tilla.
Pse kemi një situatë të tillë?
Kjo ka të bëjë me faktin se skena radikale zakonisht nuk shkon në komunitete, të cilat janë në fakt në kontakt me policinë. Në Gjermani ne kemi nga njëra anë strukturat e “islamit legal” dhe kemi edhe struktura, të cilat janë më tepër salafiste. Për sa u përket salafistëve, natyrisht që nuk ekziston një raport besimi me policinë.
Sa të pranishme janë shoqatat myslimane në strehimet e refugjatëve?
Janë refugjatët, të cilët kërkojnë vetë shtëpi për t’u falur. Prandaj komunitetet fetare dhe veçanërisht teologët atje kanë një përgjegjësi shumë të madhe, sepse ekstremizmi islamik radikalizohet mbi bazën e fesë.
Kur dhuna argumentohet me fe, feja mund të mbrohet vetëm atëherë vetë, kur zhvillon një kundër-narrativë. Radikalizmi mund të kundërshtohet në mënyrë të besueshme vetëm me narrativa, që e kanë burimin në komunitete.
Kjo do të thotë, që është më e besueshme, kur një imam thotë, “jo, ajo që propagandoni ju nuk është feja islame”, se sa kur e bën këtë një punonjës social.
A nuk ndodhin atje mjaft gjëra?
Unë atje shoh dobësi shumë të mëdha. Në komunitetet myslimane ne kemi njëfarë mbingarkese strukturore dhe të lidhur me kualifikimin. Atje nuk gjen mjaftueshëm dije teologjike dhe kapacitet, për të reaguar kundër radikalizmit.
Çështja kryesore që shtrohet është se si mund të përmirësohen komunat në këtë situatë. Ne atje kemi më tepër teologë laikë, të cilët më tepër kryejnë praktikë fetare, se sa konfrontohen mendërisht me fenomenin e radikalizmit, të shoqërisë dhe problemet e rinisë.
Kjo kontribuon që të rinjtë të shkojnë në ambiente radikale, ku me ta flitet në një gjuhë të përshtatshme për të rinjtë dhe ku me sa duket atyre u përcjellin diçka edhe nga pikëpamja fetare.
Në komunitetet myslimane gjen shumicën e herëve njerëz që janë në gjendje të përkthejnë, që janë në gjendje të thonë se ku mund të gjesh një mjek të caktuar. Atje mund të konstatosh se ka edhe përkujdesje sociale.
Kur refugjatët hasin këtu në njeriun e gabuar, ndodh që lind një varësi, që mund të çojë në radikalizëm.
Dr. Marwan Bou Taam është ekspert për terrorizmin ndërkombëtar, sigurinë e brendshme dhe salafizmin. Ai punon si punonjës shkencor për Zyrën e Policisë Kriminale në landin e Rheinland-Pfalz.