Ashtu si para 20 vjetëve është nisur treni nga Fushë-Kosova për në Bllacë të Mitrovicës.
Për ta rikthyer edhe njëherë ngjarjen e dy dekadave më parë, u përkujdes stafi i hekurudhave të Kosovës të cilët organizuan transport të posaçëm nga Fushë-Kosova dhe nga Mitrovica për në Bllacë, raporton Ekonomia Online.
Një rrëfim të veçantë na sollën edhe vetë ata që e kishin përjetuar gjithë këtë ngjarje para 20 vjetëve.
Bajram Qerkini përfaqësues i familjeve të të pagjeturve të Kosovës, i cili kishte qenë prezent në ngjarjen e vitit 1999, rrëfeu rrugëtimin e tij nga Mitrovica për në Bllacë, ku pritej të hapeshin dyert për 40 mijë shqiptarë të cilët shpresat i kishin tek miqtë maqedonas.
Qerkini tha se rrugëtimi me të ashtuquajturin “Treni i fundit” nuk ishte aq i lehtë, pasi që aty kishte njoftime që treni në çdo moment mund të shpërthente.
“S’pari të kthehem pak mbrapa, pas 20 viteve është shumë vështirë të përkujtohen tmerret që kanë qenë, nisja prej Mitrovicë, duke e përkujtuar tmerrin e asaj dite që kanë lëshuar të gjithë atë që kanë arrit prej krejt jetës dhe duke ia kthyer shpinën shumë fëmijëve që nuk e dimë ku i kemi dhe është e qëlluar mbas 20 vjet bile te bëjmë një rrugëtim dhe të përkujtojmë rrugëtimin. N’momentet kur jemi dalë prej shpijave na kanë grahë si shtazëve dhe ti ngarkojnë shtazët në një tren që nuk u dijke se a është i minum, a po na dërgojnë me na mbytë, sipas tëra informatave ishin dyert e hapura në Maqedoni”, u shpreh Qerkini.
Qerkini në një rrëfim për Eknomia Online, tregon se gjatë rrugëtimit me tren për në Bllacë, kishte meshkuj, gra, pleq e fëmijë të vdekur.
Kështu që kemi mbrri në Bllacë në mbrëmje, ka qenë tmerr kur kemi mbërri pasi që ka qenë balt shumë i madh, por duhet ta them se gjatë rrugëtimit me tren ka pas vdekje, ka pas edhe fëmijë të vdekur, ka pas edhe pleq të vdekur, ka pas raste kur janë nda meshkujt, na i kanë marrë shumë femra të cilat edhe sot nuk e dimë ku janë, kemi pas edhe disa nëna që i kanë qitë jashtë e i kanë marrë me veti. Ky rrugëtim është aq i prekshëm sa që nuk ka kush që mundet me e shpjeguar me pak fjalë, mirëpo është edhe kurajë kur kemi mbërri”, shtoi ai.
Ndërsa Rudi Berisha, i cili gjatë vitit 1999 kishte qenë vetëm 15 vjeç, tregon rrëfimin e rrugëtimit të tij nga Prishtina për në Bllacë, i cili për të do mbetet një kujtim i pashlyeshëm në jetën e tij.
Rudi edhe pse tani është 35 vjeç, ai ende i ka të freskëta kujtimet e rrugëtimit të tij për në Bllacë. Ai tregon se për nga Prishtina për në stacionin e trenit në Fushë-Kosovë, ishin detyruar të ecnin në këmbë. Gjatë asaj kohe Berisha tregon që disa rom me uniformë serbe, kishin tentuar ti shkelnin shqiptarët me veturë.
“Jemi nisë për në stacionin e autobusëve në Prishtinë, por fatkeqësisht atëherë autobusë nuk ka pas dhe nga ai vend mbetëm me zgjedhë se a me u kthyer në shpi në një vend të burgosur ku liria më nuk kishte kuptim aty sepse mbretëronte vetëm vdekja dhe çdo ditë dëgjonim për vdekjen si fëmijë, unë që isha 15 vjeç dhe vendosëm që nga stacioni i autobusëve të Prishtinës, të niseshim për në Fushë-Kosovë në këmbë, ishte një kolonë e jashtëzakonshme, kur gjatë rrugës na kërcënuan disa herë dhe donin të na shtypnin e vetura, policia dhe disa rom kanë qenë me uniformë serbe dhe kemi marrë nga aty rrugën dhe jemi nisë në këmbë e gjithë kolona me fëmijë, gra e pleq dhe të gjithë jemi shkuar në stacionin e trenit në Fushë-Kosovë, aty kishte njerëz shumë, kemi hypë në tren pasi na kanë detyruar ashtu dhe kemi marrë rrugën nga aty për me shku në Bllacë, në vendin kur kemi qenë në tren, brenda gjithmonë kemi dëgjuar ne si fëmijë se do na vrasin, do na ekzekutojnë e arrestojnë, do bombardon treni, ishim në mes vdekjes por njëkohësisht ajo shpresa sa do e vogël, na mbante se ndoshta po shpëtojmë”, tha ai për Ekonomia Online.
Berisha shprehet, se mbërritja në Bllacë ishte një shkëndijë e vogël për ta. Gjatë kohës sa kishin qëndruar aty, ai thotë se ishin përballur me sfida të shumta, si mungesa e ushqimit, e kushte jo të mira klimatike.
“Ka pas ndalesa dhe zakonisht treni është ndalu në tunele, ata janë mundu me na futë frikën, në mesin tonë aty ka pasur njerëz që kanë vdekur gjatë rrugës, s’kanë mujtë me i përballu rrugës, kishte zëra mbytës që ngjallke vetëm vdekje, ka qenë një shkëndijë gëzimi kur kemi mbërri në Bllacë, ka qenë një shkëndijë gëzimi sepse shpëtuam nga vdekja, por ishte një dhimbje e madhe pasi ne mbetëm në qiellin e hapur dhe binte shi vazhdimisht, të gjitha vraponin pas një buke, kishte njerëz të plagosur, njerëz që kanë vdekur aty, madje edhe fëmijë, gjithë këtë rrëfim që jam duke e folur jam duke e sjellë në libër dhe një ditë do ti kenë të gjithë lexuesit rrëfimet e tona që i kemi përjetuar, sidomos unë si një fëmijë i moshës 15 vjeçare”, u shpreh Berisha.