Drejtoria Rajonale e Policisë Pejë ka njoftuar se të shtunën në mbrëmje një fëmijë ka humbur jetën, ndërsa nëna e tij është e zhdukur, në lagjen “Asllan Qeshme”, si pasojë e vërshimeve në qytetin e Pejës.
Policia rreth orës 23:10, është njoftuar nga Spitali Rajonal në Pejë, për pranimin e një fëmije 5-vjeçar pa shenja jete.
Policia ka kërkuar asistim edhe nga Njësia për Kërkim Shpëtim e FSK-së që të dalin në vendin e ngjarjes, për kërkimin e personit të zhdukur.
Pas kërkimeve nga njësitet policore, rreth orës 01:20, të datës 25.06.2023, është gjetur gruaja e zhdukur. Vdekjen e saj e ka konstatuar një ekip mjekësor.
Ndërsa, në lagjen “Fidanishte” në Pejë dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në Spitalin rajonal në Pejë.