Si përcaktohet gjendja e jashtëzakonshme me Kushtetutën e Kosovës?

Prishtinë | 18 Mar 2020 | 08:09 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka përmendur të marten propozimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme, me të cilin megjithatë nuk është pajtuar Qeveria, duke e quajtur masë ekstreme dhe të panevojshme. Dy konferencat e shtypit, njëra prej presidentit Thaçi dhe tjetra prej Qeverisë kanë ardhur pas takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, teksa nëntëmbëdhjetë raste me koronavirus janë shënuar në vend për vetëm katër ditë.

“Do t’i propozoj Kuvendit të Republikës së Kosovës dekretin për gjendje të jashtëzakonshme në Kosovë. Gjendja e jashtëzakonshme përfshin mobilizimin e tërësishëm dhe maksimal të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka thënë me këtë rast Thaçi.

Thaçi me këtë rast i është referuar Nenit 84, pika 22 dhe Nenit 131, paragrafi 1, 3, 4 dhe 7 të Kushtetutës; Neni 11 dhe Neni 16-2.

Neni 84 përcakton kompetencat e presidentit të Kosovës. Në pikën 22 shkruan se “ai vendos për shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, në konsultim me Kryeministrin”.

Ndërkohë neni 131 i Kushtetutës së Kosovës është ai që përcakton gjendjen e jashtëzakonshme. Sipas paragrafit 1, presidenti i Republikës mund të shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme, kur: (1) ka nevojë për masa emergjente të mbrojtjes; (2) ka rrezik të brendshëm ndaj rendit kushtetues ose sigurisë publike; (3) ka fatkeqësi natyrore, e cila prek tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij.

Sipas paragrafi 3, të cilit i është referuar Thaçi, presidenti mund të shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme, “nëse paraqitet nevoja për marrjen e masave emergjente të mbrojtjes. Me shpalljen e Gjendjes së Jashtëzakonshme, Presidenti i Republikës së Kosovës shpall menjëherë dekretin, i cili përcakton natyrën e kërcënimit dhe çfarëdo kufizimi për të drejtat dhe liritë. Brenda dyzet e tetë (48) orësh, Kuvendi mund të japë pëlqimin me dy të tretat (2/3) e votave të deputetëve të pranishëm dhe që votojnë. Nëse nuk jepet pëlqimi, dekreti i Presidentit nuk ka forcë as efekt”, shkruan në vazhdim.

Ndërkohë, sipas paragrafit 4, “nëse ka rrezik ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë publike në Republikën e Kosovës, ose ekziston një fatkeqësi natyrore në tërë territorin e Republikës së Kosovës ose një pjesë të tij, Presidenti i Republikës së Kosovës, në konsultim me Kryeministrin, mund të shpallë Gjendjen e Jashtëzakonshme”.

E paragrafi i shtatë ka të bëjë me mobilizimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës. “Presidenti i Republikës së Kosovës, pas konsultimit me Qeverinë dhe Kuvendin, mund të urdhërojë mobilizimin e Forcës së Sigurisë të Kosovës, për të ndihmuar në Gjendjen e Jashtëzakonshme”, shkruan në të.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme