Derisa temperaturat në vendin tonë janë shumë të ulëta, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka dhënë disa këshilla se si të mbrohemi nga i ftohti.
Stina e dimrit e cila karakterizohet nga i ftohti dhe temperaturat e ulëta është stina e cila mund të sjell probleme të shumta shëndetësore, prandaj duhet të kujdesemi në mënyrë që ti shmangemi sëmundjeve dhe lëndimeve që mund të na kërcënojnë gjatë kësaj periudhe.
Probleme shëndetësore më së tepërmi mund të kenë të moshuarit, fëmijët e vegjël dhe personat me sëmundje kronike. Mirëpo edhe të rinjtë të shëndetshëm të cilët ekspozohen gjatë në të ftoftë mund të kenë pasoja shëndetësore.
Shpesh, familjet e varfra janë më të prekurat për shkak se ato më së paku mund të përballojnë ngrohjen adekuate të shtëpive të tyre. Njerëzit e pastrehë, refugjatët dhe imigrantët mund të jenë veçanërisht të prekur. Rreziku i tyre rritet nëse atyre iu mungojnë rrobat e duhura, ushqimi dhe kujdesi mjekësor.
Sëmundjet që shfaqen ose përkeqësohen si pasojë e të ftohtit janë:
Sëmundje të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, skuqje, dhimbje të grykës si shenja të para që paralajmërojnë për infeksione të bajameve, veshëve, hundës dhe sinuseve.
Sëmundje të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes gripi dhe viroza deri në infeksione akute apo konike të mushkërive.
Dhimbje koke si pasojë e spazmave – ngushtimit të enëve të gjakut në kokë.
Rritje e tensionit arterial dhe përkeqësim të tij tek të sëmurët kronikë.
Shtrëngime gjoksi deri në infarkt të zemrës.
Probleme të qarkullimit të gjakut.
Fraktura, ndrydhje, dëmtime të tjera si pasojë e rrëshqitjeve dhe rënieve në akull.
Ngrirjet e ekstremiteteve që mund të shpijnë deri në amputime të tyre.
Këshilla lidhur me parandalimin e pasojave të ekspozimit në të ftohtë:
Rregulloni temperaturën e ambientit të brendshëm, temperatura ideale është 19 deri 23 gradë C ̊ .
Kujdesuni për izolimin e mirë të dritareve dhe dyerve me materiale të ndryshme izoluese për të zvogëluar humbjet e nxehtësisë.
Ajrosni ambientet e brendshme disa herë gjatë ditës për të siguruar lagështinë e duhur si për rrugët e frymëmarrjes edhe për të ulur përqendrimin e mikrobeve në shtëpi.
Keni kujdes nga ngrohjet me dru apo gaz, pasi mund të lirojnë gazra të dëmshme për organizmin.
Kontrolloni temperaturën e trupit tuaj, bëni gjumë të mjaftueshëm.
Merrni ushqime dhe pije të ngrohta, duke shmangur alkoolin, sepse ai nuk ndihmon kundër të ftohtit.
Dilni përjashta në kohën më pak të ftohtë të ditës, shmangni nëse është e mundur, daljet në mëngjes herët dhe natën.
Kujdesuni qe te keni shall, dorëza, kapele, pallto apo xhup të ngrohtë dhe këpucë të përshtatshme.
Tregoni kujdes kur kaloni nga një ambient i ftohtë në një ambient të ngrohtë dhe e kundërta për të shmangur djersitjen apo ftohjen nëse dilni përsëri jashtë.
Planifikoni udhëtimet për të minimizuar ekspozimin ndaj motit të ftohtë. Nëse do të udhëtoni me makinë, shihni parashikimin e motit, kontrolloni gjendjen e përgjithshme të makinës.
Kontrolloni vazhdimisht shëndetin tuaj tek mjeku.
Merrni në mënyrë të rregullt ilaçet tuaja.
Vaksinohu me kohë kundër gripit sipas këshillave të mjekut tuaj