Si ta paraqesim veten

Prishtinë | 01 Mar 2017 | 18:30 | Nga

Për një kohë të gjatë, e vetmja mënyrë korrekte për të bërë paraqitjen në shoqëri ishte ajo kur ndërhynte një person i tretë. Sot, të vetë-paraqitesh, nuk është më një guxim. 

Vetë-paraqitja bëhet atëherë kur numri i mysafirëve është shumë i madh ose kur i zoti i shtëpisë ka harruar ta kryejë këtë detyrë.

Po ashtu, një delegat në një kongres duhet t’u paraqitet vetë fqinjëve në tryezë ose në mbledhje. Shqetësimet e përbashkëta janë një motiv më shumë për të kaluar në një lloj të tillë paraqitjeje.

Në këtë vështrim, edukata e kërkon që në një shoqëri një i moshuar t’i vetë-paraqitet një më të riu. Që të shmanget një situatë e papëlqyeshme – një heshtje e tej-zgjatur – edhe një i ri mund t’i vetë-paraqitet një më të moshuari – ose një zonje – me kusht që të mos zgjatë dorën i pari.

Në jetën profesionale, si edhe në atë shoqërore vetë-paraqitja mund të ndodhë në shumë raste. Kur hyn në një zyrë ku nuk të njeh njeri, ose në një ndërmarrje si përfaqësues i një firme, duhet t’i paraqitesh drejtorit si edhe personit me të cilin duhet të diskutosh. Nëse nga zyra e personit në fjalë të ndan sekretaria, mund t’i dërgosh atij një kartëvizitë, pasi i je paraqitur sekretares.

Diçka tjetër me rëndësi: Edhe atëherë kur personi që vetë-paraqitet, të duket antipatik, nuk ke të drejtë që t’i kthesh kurrizin menjëherë, as që t’i japësh një emër fals. Bota është e vogël dhe mund ta takosh përsëri.

Ndonëse nuk duhet që të titulloheni “zonjë”, krijohen situata në të cilat duke u paraqitur – në telefon p.sh. – kjo bëhet e domosdoshme. Kështu që do të thoni: “Ju telefonon zonja X, nga ana e zonjës Z”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme