E kujt nuk i ka ndodhur që të marrin një telefonatë apo një mesazh të papritur ku i thonë se po vijnë miq të papritur në shtëpi.
Por si tia bësh nëse shtëpia duket si e sapo dalë nga lufta mes jush dhe papastërtisë? Mos u trembni, autorja Courtenay Hartfort në librin e saj “Manuali i pastrimit të ninxhës”, ka një zgjidhje se si të pastroni shtëpinë në vetëm tetë minuta.
Ja çfarë të bëni minutë pas minute:
Minuti i parë- Kujdesuni që shtëpia të ketë erë të mirë
Aroma në shtëpinë tuaj do të bëjë të gjithë ndryshimin. Nëse nuk keni kohë për gjë tjetër, kjo duhet të jetë gjëja e parë. Për komoditet mbani gjithnjë qirinj aromatikë apo spraj të parfumosur.
Minuti i dytë- Lironi banakun e kuzhinës
Meqë miqtë mund të hanë diçka ose të pijnë në kuzhinë, ajo duhet të duket sa më e pastër të jetë e mundur. Si fillim lironi banakun, që për autoren do vetëm 10 sekonda. Më pas enët e palara, hidhini në lavaman, vendosni bllokuesin e daljes së ujit dhe mbusheni me ujë, hidhni dhe pak ilaç enësh dhe ja, sapo keni fshehur pjatat tuaja të palara.
Minuti i tretë- Lironi tavolinën e mesit
Janë të njëjtat këshilla si lirimi i banakut të kuzhinës. Hiqni çdo rëmujë mbi të.
Minuti i katërt- Hiqni rrëmujën
Çfarë lloj rrëmuje keni? Lodra? Rroba? Pjata dhe gota të palara? Niseni me pjatat dhe gotat, vendosini afër kuzhinës e më pas hiqni të tjerat. Përsa i përket objekteve, niseni me ato më të mëdhatë, dhe fshihni ç’të mundni.
Minuti 5- Merrni peshqirin e banjës dhe bëni një kalim të shpejtë mbi sipërfaqet
Merrni peshqirin e përdorur të banjës, jepini një fshirje të lehtë lavamanit të banjës dhe sipërfaqes përreth dhe hidheni në koshin e rrobave të palara. Më pas vendosni një peshqir të pastër për miqtë.
Minuti i 6- Pastroni me shpejtësi WC-në
Tani do të keni një banjë që nuk do të trembë miqtë. Sigurisht mund të ketë lodrat e vaskës të hedhura në tokë por e rëndësishme është që WC është e pastër.
Minuti i 7- Merrni pluhurat
Për ti marrë pluhurat shpejt përqëndrohuni tek sipërfaqet e errëta se ato e tregojnë më shumë pluhurin. Mobilje me dru të errët, televizorët, ambazhurët.
Minuti i 8- Jepini një të fshirë sipërfaqeve dhe objekteve
Fshini çdo dysheme apo sipërfaqe që do të prekin miqtë tuaj, tavolinë, karrige, tabaka, duke hequr gjurmët që ngjiten.