Si të “shëroheni” nga varësia ndaj telefonit?

Prishtinë | 13 Tet 2024 | 09:47 | Nga Ekonomia Online

Çdo ditë e më shumë, njerëzit po harrojnë të shijojnë jetën e tyre reale duke u pleksur me atë virtualen, e cila u ofrohet nga telefonat, apo çdolloj tjetër teknologjie e ngjashme. Sigurisht që kjo është një gjë negative, e cila duhet luftuar me të vërtetë. Ndaj nëse mendoni se jeni të varur konkretisht ndaj telefonit ju ftojmë të lexoni këshillat e mëposhtme.

Kur flitet për varësi, në pjesën më të madhe të rasteve imagjinohet përdorimi i alkoolit dhe i substancave narkotike. Por në fakt, në kohën e sotme, të gjithë ne kemi të bëjmë me një tjetër lloj “droge”: telefonin celular. Ka shumë mundësi që në këtë moment ndërsa po lexoni këtë shkrim, telefonin mund ta keni në dorë. Bëhet fjalë për nozofobinë (një term i futur kohët e fundit vetëm në gjuhën italiane), i cili përcakton frikën e të qenët pa një telefon. Neologjizma vjen nga anglishtja, nomofobia (shkurtimi i frika pa-telefon). A ju duket familjare? Atëherë, mbase ju duhet të merrni në konsideratë një periudhë “rehabilitimi” ndaj telefonit.

Nga ku ta filloni? Fillimisht, si për çdo gjë, është e nevojshme të gjeni ekuilibrin e duhur. Sigurisht, është bukur të jesh gjithmonë e pranishme për personat e dashur; ndonjëherë distanca fizike na bën të arritshëm vetëm nëpërmjet rrjetit. Mediat sociale janë tashmë pjesë integrale e jetës tonë dhe në disa mënyra ato kanë përmirësuar në masë të madhe cilësinë dhe përmbajtjen e saj. Nëse na duhet një adresë, një restorant, një parukeri, një numër telefoni, mund ta gjejmë fare thjesht duke naviguar në Google. Por nga ana tjetër shpesh rrezikojmë që të mbesim thjesht në botën virtuale të teknologjive, duke dominuar atë reale. Nëse nuk jeni të sigurt se keni këtë problem, por mendoni se është e mundur, filloni t’i vini veshin sinjaleve. Për shembull, mos ndoshta ndokush ju ka vënë re dhe ju ka thënë se rrini pothuajse gjithmonë në telefon? A arrini të dëgjoni një mik që flet ndërsa jeni duke çatuar në WhatsApp? Apo mendoni se dëshironi dëshpërimisht të luani me Candy Crush? Nëse po, atëherë është koha që të reflektoni. Ndërkohë, nëse ju ndodh që t’ju zërë gjumi natën me celular në dorë ose në jastëk dhe nëse gjatë ditës hapni mesazhet edhe kur nuk ju ka ardhur një i tillë, atëherë është koha për të reaguar.

Koha për t’u “zgjuar” dhe për t’u kthyer në jetën reale

Lëreni mënjanë telefonin kur të jeni bashkë me miqtë ose me familjarët. Hiqjani zilen për pak dhe futeni në çantë. Nëse jeni midis miqsh mund të bëni edhe një lojë qesharake: vendosini të gjithë smartphone-t mbi tavolinë lart njëri-tjetrit. I pari që thyen rregullin “pa telefon”, paguan porositë. Ndërkaq, si alternativë, merrni në konsideratë blerjen e një celulari ekonomik, një nga ata të vjetrit me pak funksione dhe pa internet, që mund ta përdorni posaçërisht kur dilni me miqtë. Natën fikeni dhe mos keni frikë se nuk do t’ia arrini të zgjoheni ditën e nesërme: zilja e zgjimit bie edhe kur e keni të fikur, për fat të mirë ekziston edhe një opsion i tillë!

2 në 3 njerëz kanë varësi ndaj telefonit

Dy nga tre përdorues të celularit terrorizohen nëse nuk e kanë telefonin me vete. Të dhënat kanë dalë nga një studim që arrin në përfundimin se numri i atyre që vuajnë nga varësia ndaj telefonit është rritur ndjeshëm vitet e fundit. Kështu, ata që kanë nomofobi, ose frikë nga mungesa e telefonit, ka shkuar në 66 për qind të përdoruesve nga 53 për qind që ishte 4 vite më parë. Mbi të gjitha nga nomofobia vuajnë të rinjtë nga mosha 18-24 vjeç. 77 për qind e tyre thonë se janë nomofobikë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme