Ndodhia e krijimit të Euros është vërtet e jashtëzakonshme. Sa më shumë studiohet, aq më shumë duket e habitshme. Është historia e një monedhe që nuk duhej të lindte, pasi pothuajse asnjeri nuk ishte në favor të një projekti me këtë shtrirje dhe që në fakt, nëpërmjet zinxhirit të një serie rrethanash, u bë një ide e pandalshme. Dhe pikërisht pse në thelb askush nuk kishte besuar se vërtet do të arrihej në një monedhë të vetme për Europën, kur ajo ka parë dritën, është kuptuar se kishte shumë aspekte të problemit, lidhur me të cilat nuk ishte reflektuar sa duhej.
Në gjysmën e dytë të viteve Tetëdhjetë të Nëntëqindës, kur fillon kjo histori, rreshtimi i atyre “kundër” ishte i gjerë dhe i fuqishëm. Bënin pjesë Bankat Qendrore të 12 vendeve, që atëherë përbënin Komunitetin Europian, ndoshta me përjashtim të Banca d’Italia e Carlo Azeglio Ciampit dhe të Banca di Espana. Fuqimisht kundër qenë në veçanti dy bankat qendrore më të rëndësishme: Bundesbank i drejtuar nga sanguini Karl Otto Pöhl dhe Bank of England e drejtuar nga Robin Leigh- Pemberton, një loose cannon – një peshë e lehtë për më tepër e pakontrollueshme – në gjykimin e pamëshirshëm të Nigel Lawson, Kancelarit të Skakierës së atëhershëm, por që gjithsesi kishte prapa krahëve vullnetin e hekurt të Zonjës Thatcher. Qenë kundër në thelb qeveritë evropiane, pavarësisht se të gjitha, përveç Anglisë, deklaroheshin me fjalë në favor të idesë së një Bashkimi ekonomik dhe monetar. Dhe në çdo rast idetë e tyre lidhur me organizimin dhe qëllimet e Bashkimit qenë aq të larmishme dhe aq kundërshtuese midis tyre, sa të siguronin se ishte shumë vështirë që të mund të binin dakord midis tyre lidhur me një projekt konkret.
Edhe opinionet e ekonomistëve dhe të ekspertëve, në shumicën dërrmuese të tyre, qenë tejet negative. Ekonomistët amerikanë shprehnin hapur dyshimet e tyre, ndërsa europianët, megjithëse duke mos i injoruar problemet dhe vështirësitë e futjes së një monedhe unike në vende kaq të ndryshëm mes tyre, preferonin që të mos e thellonin shumë diskutimin, për të mos u akuzuar për europianizëm të pakët. Së fundi, këtyre vështirësive i shtohej fakti që futja e një monedhe evropiane nuk parashikohej nga traktatet evropiane në atë kohë në fuqi, dhe kështu që kërkohej miratimi i një traktati të ri, me të gjithë vështirësitë që do të sillte një gjë e tillë.
Në të vërtetë, pavarësisht kësaj tërësie rrethanash negative, në një pikë të caktuar, midis viteve 1988 dhe 1989, u hartua projekti i një Bashkimi monetar europian dhe, kur menjëherë më pas ideja u vu në lëvizje, marshimi i tij u bë i pandalshëm. U negociua me ngut një traktat i ri, i nënshkruar në Maastricht në shkurtin e vitit 1992, në të cilin kapitulli kryesor kishte të bënte me Bashkimin Monetar Europian. Përveçse në Francë, ku një referendum i premtuar në mënyrë të pamatur nga Francois Mitterrand rrezikoi që të hidhte në erë gjithçka, ratifikimet e traktatit qenë shumë të shpejta (për shembull, Parlamenti italian qe ndër më të nguturit dhe më pak reflektuesit). Në fund të vitit 1993, traktati hyri në fuqi.
Më pak se 5 vite më pas lindi Banka Qendrore Europiane. Njëkohësisht me krijimin e Bankës, u individualizuan 11 vendet e para anëtare të Eurozonës. Nga 1 janari i 1999, politika monetare kaloi në duart e Bankës Qendrore Europiane. Tri vjet më vonë hynte në qarkullim euro. Si ndodhi kjo lloj amnezie kolektive që mundësoi të realizohej me ngutin maksimal një projekt për të cilin sot, në harkun e pak viteve, edhe shumë prej atyre që atëhere qenë në favor, kanë përfunduar duke u distancuar prej tij? Është një ndodhi që meriton të rindërtohet, edhe në dritën e një libri të çmuar relativisht të vonshëm të titulluar “Making the European Monetary Union” (shtëpia botuese Harvard University Press, Cambridge Massachussetts 2012), i shkruar nga studiuesi Harold James duke mundur të përdorë, përkrah dokumenteve zyrtare, edhe letrat e atyre viteve të ruajtura në arkivat e Bankave Qendrore dhe të Bankës së Rregullimeve Ndërkombëtare të Bazelit.
Historia mund të tregohet si një lloj pjese teatrale me dy akte dhe shumë skena. Akti i parë u zhvillua në gjirin e një komiteti për studimin e Bashkimit ekonomik dhe monetar europian, i ngritur nga Këshilli Europian i Hannoverit në qershorin e vitit 1988. Komiteti i kryesuar nga Jacques Delors, në atë kohë President i Komisionit Europian, i zhvilloi me shumë shpejtësi punimet e tij dhe e dorëzoi raportin përfundimtar, të miratuar me unanimitet nga përbërësit e tij, në prillin e 1989. Kurse akti i dytë filloi me 9 nëntor të 1989 me rënien e Murit të Berlinit dhe përfundoi në Maastricht të Hollandës, me nënshkrimin e traktatit me të njëjtin emër, me 7 shkurt të 1992. Në mes ndodhi bashkimi i Gjermanisë që peshoi në mënyrë vendimtare mbi rrjedhën e ngjarjeve.
Personazhi kryesor i gjithë kësaj ndodhie, në aktin e parë, ashtu si edhe në të dytin, qe Jacques Delors, i cili atëherë kryesonte Komisionin Europian me një energji dhe me një prestigj që asnjë prej pasuesve të tij nuk e ka pasur më. Në krah të tij patën një rol të rëndësishëm disa funksionarë të lartë europianë, midis të cilëve më i kthjellëti qe italiani Tommaso Padoa-Schioppa, në ato vite Drejtor i Çështjeve Monetare të Komisionit Europian. Delors ishte i shtyrë nga bindja se nuk qenë më të mjaftueshëm hapat e pjesshëm me të cilat zhvillohej procesi i integrimit europian dhe ndoshta ishte i nevojshëm një hop cilësor në gjirin e bashkimit politik të kontinentit. Për ta realizuar, duheshin shtrënguar qeveritë dhe Bankat Qendrore, të fortifikuara siç ishin në mbrojtje të sovraniteteve kombëtare nga të cilat dukej se varej pushteti i tyre. Në aktin e parë, me Delors ndërvepruan guvernatorët e Bankave Qendrore; ndërsa në të dytin hyjnë në skenë qeveritë evropiane të kohës.
Akti i Parë. Skena e Parë. Lind komiteti Delors
Qershor 1988. Jacques Delors bind krerët e shteteve dhe të qeverive europiane që të krijojnë një komitet të urtësh për studimin e Bashkimit ekonomik e monetar europian dhe ta emërojnë President të tij. Ideja nuk i pëlqeu pothuajse askujt. Dakord me Kancelarin gjerman Helmut Kohl, Delors vendos që të thërrasë për të bërë pjesë në komitet “me titull personal” guvernatorët e Bankave Qendrore të 12 vendeve anëtare (plus tri ekonomistë dhe një Zëvendëspresident të Komisionit). Është gjetja e parë. Guvernatorët, energjikisht kundër idesë për të studiuar krijimin e një djallëzie tjetër europiane të destinuar, dyshon Karl Otto Pöhl, Presidenti i Buba-s (siç quhej më përkëdheli Bundesbanku), që të fusë hundët në kompetencat e tyre si tutorë të rreptë të stabilitetit, por nuk mund të mos qetësohen sadopak duke qenë të thirrur për të qenë pjesë e komitetit. Edhe Zonja Thatcher, armike ndaj çdo propozimi të ardhur nga Brukseli (dhe në veçanti nga Delors), qetësohet disi pasi me dy qen roje si Pöhl dhe Robin Leigh-Pemberton, kreu i Zonjës së Vjetër të Threadneedle Street (siç quhet në mënyrë të familjarizuar Bank of England në Londër), komiteti nuk do të qullosë asgjë.
Akti i Parë. Skena (dhe gjetje) e II-të. Fillon komiteti
Në mbledhjen e parë Delors shpjegon se detyra e komitetit nuk është ajo që të diskutojë nëse të bëjë apo jo Bashkimin Ekonomik dhe Monetar. Detyra e tyre, thotë ai, është ajo që të shkruajnë një manifest politik lidhur me integrimin europian, është (vetëm) ajo e kryerjes së një eksplorimi teknik sesi të organizohet një Bashkim Monetar Europian, në rastin ku politika vendos që të procedojë në këtë drejtim. E paraqitur kështu, edhe më skeptikët midis guvernatorëve i hyjnë punës duke menduar, siç e tha njëri prej tyre, se detyra ishte ajo që të shpjegohej saktësisht “se çfarë do të thoshte Bashkim dhe sidomos sesa ishte i vështirë ai”.
Delors shtoi se mbledhjet duhej të ishin tejet të rezervuara në mënyrë që të reduktohej sa më shumë të ishte e mundur interferencat e jashtme, domethënë tentativat e qeverive për t’u përzier në vendimet e guvernatorëve. Krijohet kështu një shpirt grupi dhe lihen praktikisht në errësirë qeveritë lidhur me atë se çfarë komiteti po diskuton dhe se në çfarë drejtimi po ecin gjërat.
Akti i Parë. Skena e III-të
Mbledhjet e komitetit Menaxhimi i një serie primadonash tejet vanitoze siç janë në fakt guvernatorët (përveç Pöhl dhe Leigh-Pemberton, duhet shtuar midis protagonistëve edhe francezin Jacques de Larosière) duhet të ketë qenë mjaft i komplikuar. Por Delors është mjaft i aftë. I drejton guvernatorët drejt përshkrimit të arkitekturës së sistemit të ri që më shumë u afrohet idealeve dhe ëndrrave të tyre të pavarësisë nga pushteti politik. Në mënyrë të veçantë, Delors i jep Pöhl detyron që të përcaktojë karakteristikat e një Banke Qendrore Europiane dhe Pöhl – “a broken reed”, një person i dobët dhe jo i besueshëm, do të shkruajë më pas Kancelari i Skakierës, pasi ka thënë në mbledhjen e parë se komiteti duhet ta heqë qafe idenë e Bashkimit monetar dhe t’u shpjegojë politikanëve “se në këtë moment nuk ekziston një shans realist për të ndërtuar një bashkim monetar”, përfundon rob i vetë propozimeve të tij, duke përshkruar një Bankë Qendrore që i ngjan në dhe për gjithçka Buba-s. Konvertimi i Pöhl sjell me vete atë të Robin Leigh-Pemberton, qenit roje tjetër që kishte pasur nga qeveria e tij detyrën e vigjilimit që komiteti të mos qulloste gjë. Thatcher, e cila nuk duhet ta kishte ndonjë opinion të lartë, i kishte thënë: “Unë kam besim tek Pöhl.
Në qoftë se ai propozon ndonjë gjë, ndiqe”. Kështu, me “rekrutimin” e Pöhl, ishte në bord edhe Leigh- Pemberton. Në demonstrim të zgjuarësisë së tij, ekziston një letër e tij për Kancelarin e Skakierës përpara mbledhjes së parë në të cilën lexohet se në gjirin e komitetit “pragmatistët kanë në dorë gjënë; me sa duket janë mazhoranca; idealistët janë të heshtur dhe Delors neutral”!!!!!
Akti i Parë. Skena e fundit. Konkluzionet e komitetit
Në fillim të prillit 1989, Delors sjell një tekst final që në thelb përcakton udhëtimin me tri faza drejt Bashkimit Monetar të adoptuar më pas në Maastricht. Modeli i Bankës Qendrore është ai i Bundesbankut. Objektivi i politikës monetare është stabiliteti i çmimeve. Financat publike e vendeve anëtare duhet të mbahen nën kontroll. Guvernatorët nguten që të konkludojnë, të bindur veç të tjerave se qeveritë gjithsesi nuk do të bëjnë asgjë. Argumenti si të thuash përfundimtar është i Leigh-Pemberton: “Në qoftë se ua tregoj këto letra të mallkuara Thesarit, atyre u shkatërrohen nervat… Nëqoftëse përfundojmë pas një jave, do të më kërkojnë të bëj amendamente të tjera… Unë kërkoj që të shpëtoj nga kjo bela”. Kështu që është guvernatori i vendit më kundra, i Mbretërisë së Bashkuar, ai që në fund e shtyn në port anijen e Delors. Kështu përfundon akti i parë. E megjithatë, siç është thënë, ka mundësi që kryevepra taktike e Delors nuk do të kishte çuar tek monedha e vetme nëse historia nuk do të kishte bërë pjesën e mbetur. Qeveritë nuk kishin kurrfarë dëshire që të procedonin me Bashkimin Ekonomik e Monetar, as pas prezantimit të Raportit Delors në prillin e 1989. Problemet qenë tejet të komplikuara. Për të miratuar një traktat të ri nevojitej miratimi unanim i vendeve anëtare. Zonja Thatcher nuk e mendonte aspak. Por ra Muri i Berlinit dhe perspektiva e ribashkimit të Gjermanisë ndryshoi sa hap e mbyll sytë gjithçka.
Akti i II-të. Skena e Parë. Bie Muri i Berlinit
Rënia e Murit të Berlinit nuk gjeneroi asnjë valë gëzimi në kancelaritë evropiane. Në Kujtimet e saj, zonja Thatcher tregon në mënyrë dinake se Mitterrand i telefonon të nesërmen e rënies së Murit dhe i thotë se në momentet e rreziku Franca dhe Anglia duhet të krijojnë front të përbashkët. Rrezik? Natyrisht, ribashkimi gjerman. Giulio Andreotti, që mendonte se ishte hokatar, tha gjatë atyre ditëve se e donte aq shumë Gjermaninë sa që shkaktonte kënaqësi fakti që qenë dy të tilla. E kështu me radhë. Europa pyeste sesi do të mund të shmangej që Gjermania të vraponte e vetme në lëndinat e Europës Lindore. Dhe kështu Mitterrand i erdhi në mendje – ndoshta qe edhe Delors ai që mund t’ia ketë sugjeruar – se, në rast se nuk mund të shmangej ribashkimi gjerman, ndaj të cilit amerikanët qenë në favor, mund të ofrohej marrëveshja evropiane ndaj unifikimit në shkëmbim të heqjes dorë nga dojçmarka nga ana e Gjermanisë. Kështu, brenda pak javësh, u nis në drejtim Maastricht.
Akti i II-të. Skena e II-të
4 janar 1990. Më pak se 2 muaj pas rënies së Murit të Berlinit, Kohl dhe Mitterrand u takuan. Në komunikatën finale, duke cituar së bashku nisjen e negociatave për ribashkimin gjerman dhe ato për krijimin e Bashkimit monetar. Treni niset. Po të gjitha dyshimet dhe paqartësitë lidhur me praninë e kushteve të nevojshme për suksesin e monedhës së vetme? Të flakura tej nga urgjenca e zgjedhjeve politike. Bundesbanku ishte dhe mbetej kundër, por nga njëra anë Pöhl nuk mund të distancohej më nga një projekt i Bankës Qendrore Europiane të bërë sipas modelit të Bundesbankut dhe nga tjetra Kancelari Kohl nuk donte pengesa ndaj bashkimit gjerman. Dhe kështu është shkuar drejt monedhës së vetme pa mbajtur parasysh kushtet ekonomike dhe politike që do të mund t’i siguronin suksesin dhe pa rënë vërtet dakord sesi ta bënin të funksiononte.
Kusuri është histori e vonshme, përfshi këtu rezultatet e zgjedhjeve në Greqi dhe euroskepticizmin në rritje në të gjithë Europën, në jug, ashtu si edhe në veri. Intendance sivra, thoshte Charles de Gaulle duke folur për primatin e politikës ndaj ekonomisë. Por në këtë rast intendance nuk ka pasuar dhe nuk pason. Ja pse jemi në një det belashë.
(Autori është politikan dhe akademik italian. Këtë artikull e ka botuar për Il Popolo)