Gjykatat dhe Prokuroritë janë të hapura, por ato po merren vetëm me raste urgjente siç janë: paraburgimet ose dhuna në familje.
Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Skënder Çoçaj, tha për Radion Evropa e Lirë, se janë në proces të planifikimit të hapave të mëtejmë, nëse gjendja aktuale e pandemisë vazhdon.
“Ne jemi duke bërë planin konkret se çfarë hapa të ndërmerren. Ardhja e lëndëve gjyqësore është shumë e vogël, do të thotë nuk kemi lëndë shumë që po vijnë në gjykata. Por, nëse kjo situatë vazhdon duhet të dimë se si të veprojmë. Ne do ta qesim planin në letër, nëse mundemi t’i mbajmë seancat gjyqësore përmes platformave të ndryshme online, sidomos, kur të pandehurit janë në paraburgim”, tha Çoçaj.
Çoçaj thotë se edhe në këto rrethana në të cilat po funksionojnë gjykatat, puna e gjyqtarëve po monitorohet nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës.
Megjithatë, ai pranon se ka vonesa në shqyrtimin e disa lëndëve për shkak të pandemisë.
“Tani në këto rrethana duhet të jesh shumë i kujdesshëm nëse planifikon të mbash një seancë gjyqësore, a do të mund të arrish të sigurosh prezencën e të gjitha palëve në procedurë?”, tha Çoçaj.
Edhe në Këshillin Prokurorial të Kosovës thonë se po punohet me kapacitet të përgjysmuar, por vetëm për çështje të natyrës së ngutshme.
Bahri Hyseni, kryesues i Këshillit Prokurorial të Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se puna që aktualisht po bëhet nga prokurorët po monitorohet Këshillit Prokurorial i Kosovës dhe se po shikohen mundësitë që të rritet vëllimi i punës online.
“Udhëzimet janë të qarta për të gjitha Prokuroritë, se si të veprohet në këtë klimë dhe jemi në përfundim të një plani operativ se si do të vazhdojmë tutje, në rast se vazhdohet kjo situatë që e kemi”, tha Hyseni.
Sistemin e mbajtjes së seancave online, avokati Tahir Rrecaj e sheh si të komplikuar dhe të vështirë.
Ai thotë se fillimisht vështirësitë do të paraqiteshin në aspektin teknik, e më pas edhe ligjor, pasi që, siç thotë ai, nuk do të mund të ofrohet një mbrojtje efektive për palët në procedurë.
“Për shembull, nëse do të duhej të dëgjohet dëshmia e një dëshmitari, i pranishëm duhet të jetë edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, ose avokati i të pandehurit, për ta kuptuar vërtetësinë e asaj që e thotë”, tha Rrecaj.
Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi, mendon se në Kosovë masat e vetme që janë ndërmarrë deri tash janë klasifikimi i rasteve emergjente dhe puna në lëndë që mund të parashkruhen.
“Kosova në këtë kohë krize nuk ka arritur që me sukses të ndërmarrë masa efektive sa i përket monitorimit dhe qasjes efektive të monitorimit të rasteve gjyqësore nga ana e shoqërisë civile”, tha Mifaraj në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë.
Edhe në Shqipëri sistemi i drejtësisë është duke funksionuar me kapacitete të limituar.
Këshilli i Lartë Gjyqësor ka njoftuar opinionin publik se në kushtet kur situata me infeksionin e shkaktuar nga COVID-19, vijon të jetë e pandryshuar, veprimet dhe shërbimet gjyqësore jo urgjente, pezullohen në të gjitha gjykatat.
Kurse, në Holandë sipas njoftimit nga Ministria për Drejtësi e Siguri sistemi gjyqësori është duke përdorur më shumë mjetet elektronike të komunikimit për rastet gjyqësore.
“Video-lidhjet tashmë po përdoren në procedurat gjyqësore”, ka njoftuar ministria.
Kjo ministri ka njoftuar se në të ardhmen, teknologjia dhe takimet përmes video online mund të përdoret më shpesh, për shembull, në mënyrë që avokatët ose palët në procedurë të mos kenë më nevojë të paraqiten personalisht në gjykata.
Kjo vlen edhe për personat e tjerë për shkak të kufizimeve të koronavirusit.