Sigurimi bujqësor, që ka për qëllim mbrojtjen e fermerëve nga rreziqet e kushteve atmosferike, është mirëpritur nga bujqit e Kosovës. Tash për tash, janë vetëm gjashtë kultura bujqësore të cilat mund të sigurohen, për çka fermerët do të kompensohen me 50 për qind nga sigurimet në rast të fatkeqësive natyrore.
Për herë të parë në Kosovë javën që shkoi është prezantuar projekti për sigurimin dhe mbrojtjen e fermerëve nga rreziqet e kushteve atmosferike. Aktualisht, sigurimi bujqësor mund të bëhet vetëm për mjedrën, specin, rrushin e verës, dredhëzën, kumbullën dhe mollën.
Trimor Hyseni kultivon mjedrën në komunën e Ferizajt. Çdo vit thotë se është i dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore. Duke folur për Radio-Kosovën, Hyseni thotë se sigurimet bujqësore janë të mirëseardhura.
“Është i mirëseardhur, se me krahasuar me vitin e kaluar kemi humbur diku rreth 95 për qind të prodhimit që na ka dëmtuar breshëri. Vitin e kaluar janë dëmtuar diku 60 ton rendimet, e diku 5 ton rendiment kam marrit me i marr. Me sigurimet bujqësore e kemi shumë më lehtë edhe ne fermerët”.
Ndërkohë, ky sigurim nuk përfshinë edhe shumë kultura të tjera. Pal Gjuraj nga Shoqata e Prodhuesve të Grurit, thotë se kultura e grurit si prodhim bazik, duhet të sigurohet e para.
“Qeveria si produkt e ka rëndit ndër prodhimet më strategjike për popullin e Kosovës. Është i domosdoshëm dhe në rend të parë, duhet të sigurohet gruri sepse dëmet më të mëdha shkaktohen në qershor dhe korrik dhe kjo është e nevojshme. Çmimet janë ngritur, 40 euro, 100 kilogram miell, diçka që është e paparapare”.
Me krijimin e sistemit të sigurimit për prodhimtarinë bujqësore, do të arrihet menaxhimi i rreziqeve të ndryshme në këtë prodhimtari, duke i parandaluar apo minimizuar pasojat për fermerët. Ministria e Bujqësisë, do t’i mbulojë 50 për qind të shpenzimeve për fermerët, në rast të dëmeve nga kushtet atmosferike.
Drejtori Ekzekutiv i Shoqatës së Kompanive të Sigurimeve në Kosovë, Sami Mazreku, thotë se përveç që janë përfitues fermerët, ky projekt, ndihmon sektorin e sigurimeve, për të zhvilluar edhe më shumë tregun.
“Ne si industri e sigurimit, kemi qenë të shqetësuar për humbjet që kemi parë në bujqësi kryesisht në pranverë, breshëri dhe lloje të tjera, por nuk arritëm t’i adresojmë për shkak të disa vështirësive. Kryesore ishin: mungesa e të dhënave, mungesa e ekspertizës, mungesa e njohurive të thella agro-ekonomike, subvencioneve e të tjera”.
Sidoqoftë, për sigurimet bujqësore kanë ngritur zërin edhe ekspert të bujqësisë, duke thekuar se sigurimet janë të vonuara. Ndryshe, në vitin 2016, Kosova është përballë me kushte atmosferike të rënda të cilat kanë shkaktuar shumë dëme, te kultivuesit bujqësor.