Ishte shumë aktiv në fushatën zgjedhore të partisë së tij dhe ka marrë shumë vota për t’u blrl deputet, por kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, do t’i “tradhëtojë” ata që e votuan të dielën.
Ai nuk do të ulet si deputet në Kuvendin e Kosovës. Ahmeti ka konfirmuar se do të qëndrojë kryetar komune edhe pse është i sigurt se i ka fituar votat për deputet.
Mirëpo, Ahmeti ka thënë se ndryshe pritet të veprojë nënkryetari i komunës, Dardan Sejdiu.
Sipas tij, ai do ta lërë komunën për t’u bërë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
“Unë do të vazhdoj të rri në komunë, ndërsa Dardani do të shkoj në Kuvend”, ka thënë Ahmeti në emisionin Zyra e Ankesave në TV Dukagjini.
Ndonëse nga udhëheqja komunale ka edhe anëtarë të tjerë të Vetëvendosjes që mund ta fitojnë mandatin e deputetit, Ahmeti ka parapëlqyer që të mos deklarohet për ta pa u certifikuar rezultatet e zgjedhjeve.
Mirëpo, ai nuk e ka fshehur se është “pak subjektiv” dhe dëshiron të ketë njerëz të aftë rreth vetës për ta udhëhequr edhe mëtutje komunën.