Është e trishtueshme që një nga të mëdhenjtë e Premier Leagues moderne mund të largohet pa shumë bujë, siç erdhi dhjetë vjet më parë, shkruan “Daily Mail”.
Kur David Silva iu bashkua Manchester Cityt në verën e vitit 2010, ai ende ishte i lodhur nga festa e madhe pas triumfit të Spanjës në Botërorin e atij viti. Ai ishte aq nervoz se mund të humbte medaljen, të cilën ende e kishte në xhep. Jo se i tregoi të gjithëve për këtë. Ai kurrë nuk ishte person që pëlqente bujën.
Ai kaloi testet mjekësore dhe shkoi menjëherë në dhomën e hotelit për të bërë një sy gjumë.
“Isha shumë i lodhur”, kishte treguar Silva më vonë. “Fiziterapeuti i klubit gjithmonë më kujton këtë”.
Duke fituar 11 trofe në një dekadë me Cityn që nga transferimi nga Valencia për 28.75 milionë euro, Silva ka qenë një nga lojtarët më konstant dhe më me ndikim te klubi.
Vetëm sulmuesi argjentinas Sergio Aguero i afrohet në këtë aspekt.
Plani i tij për t’u larguar nga City këtë verë, gjithmonë është dukur i duhuri. Forca e tij unike ka filluar të zbehet në 18 muajt e fundit.
Mirëpo, të largohet në heshtje, me botën në “pauzë” gjatë pandemisë së koronavirusit, mund të jetë një efekte tjetër fatkeq i kësaj pandemie.
Në kohën e tij, të tjerët janë larguar me bujën që kanë merituar: Joe Hart, Vincent Kompany, Pablo Zabaleta, Yaya Toure.
City di se si të përshëndetet me lojtarët. Por, Silva – nëse është me fat – do të luajë ndeshjet e fundit të tij në stadium të zbrazët dhe do të largohet, pa ndonjë shtrëngim duarsh apo përshëndetje të afërt me bashkëlojtarët.
Nëse e merr topin e ndeshjes së fundit, me gjasë ai do të sterilizohet së pari para se t’i jepet Silvas. Nëse është me më pak fat dhe stinori anulohet, atëherë ai kurrë mund të mos kthehet më në Angli nga shtëpia e familjes në Gran Canaria.
Në një intervistë për faqen e Cityt këtë muaj se ku do të pëlqente të ngrihej statuja e tij, ai është përgjigjur: “Në hyrje të stadiumit. Vetëm po bëj shaka. Por, shumë njerëz më kanë pyetur këtë në rrjetet sociale. E shoh se jam i vlerësuar dhe kjo më bën krenar”.
Mendohet se koha e Silvas te City do të shënohet me në mozaik në fushën stërvitore të klubit. Hapi i tij i ardhshëm në karrierë ende nuk dihet, por pritet të jetë Amerika apo edhe Japonia.
Po ashtu si opsion është përmendur rikthimi te Valencia.
“Ende dua të luaj edhe disa vite”, ka thënë 34-vjeçari.
Në plan më afatgjatë, Silva së fundi ka shprehur pëlqim për zejen e trajnerit, pëlqim që është krijuar gjatë periudhës së tij këtë stinor si kapiten i klubit.
Është bukuria e futbollit të tij të pa komplikuar që do të mbetet trashëgimi e vërtetë.
Roberto Mancini kishte dashur të transferonte spanjollin Silva gjatë kohës sa ishte trajner i Interit, por nuk ia doli atëherë.
“Kur Mancini erdhi te City, Silva ishte emri i parë që përmendi”, kishte thënë një burim për “Sportsmail”. “Roberto ishte i obsesionuar me Silvan. Ai vlerësonte se nëse e sjellë Silvan atëherë çdo gjë tjetër në skuadër do të funksiononte shumë mirë. Në fund ishte lehtësim që Silva erdhi, vetëm që trajneri të ndalte së biseduari për të”.
Silva ishte vendimtar për Mancinin te City, siç ishte edhe për dy trajnerët e tij të ardhshëm – Manuel Pellegrinin e Pep Guardiolan.
Karriera e tij te City mund të mos ketë ndonjë moment vendimtar, si goli i Agueros ndaj QPR-së që siguroi titullin në vitin 2012, goli i Kolo Toures në gjysmëfinale të FA Cup kundër Manchester Unitedit një vit më herët, apo goli i Vincent Kompanys kundër Leicester Cityt në prillin e vitit të kaluar. Mirëpo, konsistenca e tij dhe puna e tij e pandalshme, është e pa konkurrencë.
Te City, e shohin atë si një nga lojtarët më të mëdhenj të klubit. Në Spanjë, ndërkohë, gjithmonë e dinin se çfarë lojtari është Silva.
Portieri i Aston Villas, Pepe Reina kishte vlerësuar lartë talentin e bashkëlojtarit të tij të dikurshëm në përfaqësuese, Silvas, ndërsa ish-seleksionuesi i Spanjës, Luis Aragones, me të cilin Silva fitoi Evropianin 2008, kishte vlerësuar lartë guximin e mesfushorit.
Sigurisht se Silva ishte i guximshëm. Kujtimet e viteve duke u ndjekur nëpër fusha të Premier Leagues nga kundërshtarët do të jenë të gjata, por edhe plagët rreth kyçeve të këmbës. Ndryshe nga shumica, Silva kurrë nuk mbante mbrojtëse në kyçe të këmbëve.
“Unë preferoj të marrë rreziqe për t’u lënduar. Po të fashoja kyçet, do të ishte sikur të mbyllja sytë”, ka deklaruar Silva.
Me topin, ndikimi i tij ka qenë i madh.
Asnjëri nuk ka krijuar më tepër gola në Premier League gjatë dekadës sesa Silva.
Pep Guardiola ndryshoi pak pozitën e Silvas duke i kërkuar të qëndrojë më prapa, por ai gjithmonë ka pëlqyer stilin e lojës të Guardiolas. Ka kontrolluar topin mirë, kë lëvizur topin dhe nuk ka ekzagjeruar me të.
Viti i fundit nuk ka qenë më i miri në karrierën e Silvas. Statistikat e Cityt kanë vërejtur një rënie që nga viti 2018, por lojtarëve elitarë nuk i duhen numra për të kuptuar se e kanë kaluar kulmin.
Silva sigurisht se është i vetëdijshëm për këtë. Është e kuptueshme nëse prioritetet e tij në jetë kanë ndryshuar që nga lindja e parakohshme e të biri të tij Mateo në vitin 2018. Mateo mbijetoi, por ishin kohë të vështira.
“Mateo më ka bërë të shoh gjërat më ndryshe”, ka thënë Silva.
Ai largohet duke e ditur saktësisht se pjesë e çfarë suksesi ka qenë te City. Qetësia e tij nuk nënkupton se ai nuk është i vetëdijshëm për vlerën që ka.
“Kur së pari erdha në Manchester ekzistonte një respekt i madh për Unitedin dhe tash mendoj se kanë ndërruar gjërat. Është mirë që kam lënë trashëgimi këtu”, ka thënë Silva.
Silva sigurisht se ka lënë trashëgimi, por të largohet pa bujë, nuk duket korrekte.
Një rreth nderi në një stadium të zbrazët, nuk do të quhej rreth nderi.