Masat e reja që ka paraqitur Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Shëndetësisë po vlerësohen jo mjaftë të efektshme. Sipas njohësve të arsimit mësimi online në universitet është i mangët e nga Sindikata e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës thanë se do ishte e udhës të mbahet sa më shumë mësimi në shkolla.
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti në masat e reja anti-covid ka paraparë që arsimi i lartë të kalojë plotësisht në versionin online.
Mirëpo këtë metodë, njohësi i arsimit, Rinor Qehaja e sheh si të mangët dhe jo mjaftueshëm efektiv.
“Unë vlerësoj se kalimi në ligjërata online për studentët cenon shumë pjesë të studimeve që nuk mund të zbatohen. Bie fjala për ushtrimet praktike, apo internshipet e ndryshme nuk mund të zbatohen online”, deklaroi Rinor Qehaja.
E nga Sindikata e Arsimit thonë se sa më shumë që të mbahet mësimi në shkolla është më mirë për nxënësit.
“Duke përcjellë vullnetin e mësimdhënësve dhe punëtorëve tjerë nëpër shkolla, jemi shprehur që mësimi sa më gjatë të vazhdohet në shkolla. Kjo sa më gjatë nënkupton që mësimi duhet të vazhdojë në shkolla deri në fund të vitit shkollor”, deklaroi Rrahman Jasharaj, përcjell Telegrafi.
Kohët e fundit disa shkolla janë mbyllur për arsye se mësimdhënës dhe nxënës të shkollave janë infektuar me COVID-19.