Shoqata Sindikale e Anëtarëve të Shërbimit të Jashtëm (SHSASHJ) ka njoftuar se brenda tre ditëve të fundit janë proceduar mbi 70 vendime për gradime në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.
“Në këtë valë emërimesh, një numër i vogël i vendimeve rreth kandidatëve të cilët i plotësojnë kriteret e avancimit në gradë, janë përfshirë vetëm sa për të kamufluar pjesën tjetër të vendimeve tërësisht jomeritore, të kundërligjshme dhe abuzive”, thuhet në komunikatën e SHSASHJ-së.
SHSASHJ thotë se ka analizuar që shkelja e qëllimshme dhe keqinterpretimi i normave të legjislacionit në fuqi po vijon edhe këto ditë me vendimmarrje nëpër një proces kundërligjor, sekret dhe diskriminues, duke shkelur parimin ligjor të barazisë së qytetarëve para ligjit, duke mohuar në njërën anë dhe privilegjuar një grup zyrtarësh në anën tjetër.
“Procesi i dhënies së gradave, i promovimit në grada më të larta dhe mbi të gjitha ai i dërgimit në mision jashtë vendit, ka rezultuar me vendime juridikisht të paarsyetuara, diskriminuese, selektive dhe ka përdhosur edhe më tej gjendjen në MPJ”, thuhet në reagimin e Shoqatës.
Sipas SHSASHJ-së, menaxhmenti i lartë i MPJ, duke mos respektuar parimet bazë të sistemit juridik të Kosovës, po vazhdon të çojë në përkeqësim edhe të marrëdhënieve bilaterale me shtetet partnere dhe po ndikon në imazhin e shtetit në botë.
SHSASHJ apelon të kjo qeveri në detyrë, dhe te çdo qeveri e ardhshme që sundimi i rendit ligjor është parakusht për çfarëdo integrimi euro-atlantik të Republikës së Kosovës prandaj edhe çdo qeveri e ardhshme duhet të konsultohet dhe të ketë parasysh këshillat dhe informacionin e diplomacisë së RKS-së.