Federata Sindikale e PTK-së është takuar me ministrin e Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, për të diskutuar për gjendjen në këtë kompani, raporton Ekonomia Online.
I pari i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka tha se ristrukturimi që do të ndodhë në Telekom është i domosdoshëm dhe se kërkesat e sindikatës do të merren parasysh.
“Sot kishim një takim të përbashkët me sindikatën e Telekomit ku diskutuam për brengat që kemi dhe planin për vitin 2019 dhe fazat e ristrukturimit ku jemi futur në katër fazë”.
“Kjo fazë do të marr mbështetjen e Bankës për Rindërtim dhe Zhvillim në mënyrë që punëtorët të ndihen komod për procedurat që do të ndiqen. Ideja është që sindikata të jetë e përfaqësuar në vendimmarrje”.
Lami Balaj nga sindikata e Telekomit, tha se ka dërguar lëndë tek krimet ekonomike pasiqë sipas tij, shumë kompani e kanë zhvatur Telekomin.
Ai u shpreh kundër privatizimit duke thënë se një gjë e tillë është e panevojshme, raporton EO.
“Ne sot diskutuam për gjendjen në Telekom, por më e rëndësishmja është ristrukturimi në Telekom. Ne si sindikatë e kemi përkrah ristrukturimin sepse Telekomi ka nevojë. Ky ristrukturim do të përfshijë edhe sindikatën dhe ne do të jemi të zëshëm aty”.
“Shqetësimet janë të njëjta që i kemi thënë më herët. Telekomi nuk është menaxhuar mirë sepse nëse kjo do të ndodhte ne nuk do të kërkonim ristrukturim”.
“Telekomi është zhvat nga kompani të ndryshme. Sot me miliona euro janë shpërla nga këto kompani. Privatizimi s’ka me ndodhë njëherë sepse njëherë di të ndodhë ristrukturimi. Unë jam kundër privatizimit sepse s’ka nevojë”.