Propozime konkrete u kanë shkuar anëtarëve të Komisionit për Media për ndryshimet në Ligjin për RTK-në.
Sindikata e Pavarur e televizionit publik, propozimet i ka nisur me formën e financimit, duke e mbështetur atë të parapagimit nga qytetari, raporton KTV.
Një formë e tillë ishte e paraparë edhe me ligjin aktual, derisa edhe shoqëria civile e mbështet.
Propozimet e tjera ishin për reduktimin e pozitave në bord nga 11 në 5, si qëllim, reduktimin e shpenzimeve dhe rritjen e efikasitetit, pasi që shpenzimet ndër vite kanë shkuar duke u rritur.
Përderisa në vitin 2008, ishin shpenzuar 36 mijë euro nga bordi për paga e mëditje, në vitin e kaluar, shifra ka mbërritur në 153 mijë euro, dhe kjo anomali, sipas Sindikatës, ka ndodhur, pasi që vetë bordi vendos për pagat dhe mëditjet.
Gjithashtu, sindikalistët kanë kërkuar uljen e pagave të menaxhmentit të RTK-së, dhe që pozita e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm, të mos parashihet me ligj.
KTV-ja ka provuar të marrë një përgjigje nga drejtori i Përgjithshëm, Mentor Shala, lidhur me përbërjen e kabinetit të tij, që është shndërruar në Departament për Strategji dhe Zhvillim, por që si zakonisht, nuk ka marrë përgjigje.