Sindikata, pak persona kishte arritur t’i sillte në ditën kur e gjithë bota vlon nga kërkesat për të drejtat e punëtorëve, 1 majin, raporton KTV.
Sindikatat e Kosovës, nuk është që shquhen për këtë organizim, e as që besohet se punojnë në favor të punëtorëve.
Perceptimi i krijuar për to është nënshkrimi i marrëveshjeve me politikanë e liderë partish në kohë fushate.
Kjo, sipas aktivistit të shoqërisë civile, Kushtrim Shaipi, është për faktin se u mungon koncepti dhe përfaqësimi politik, që do të bënte ndryshimin, duke i bërë ato të ndikueshme dhe të varura nga partitë politike.
Kryesia e Federatës Sindikale të Shëndetësisë së Kosovës ka përfituar shumë favore me kontratën e fundit sektoriale, që ka nënshkruar me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili.
Me të, Ministria ka marrë për obligim të përkujdeset për zyrat e Sindikatës dhe po ashtu që kësaj organizate t’ia delegojë disa kompetenca ekzekutive, e të cilat me ligj u takojnë institucioneve të tjera.
Për Arton Demhasaj ky fakt nuk është në rregull. Ai mendon se kërkohet një bashkim i sindikatave për të lobuar në implementimin e Kontratës Kolektive.
Pos kësaj, shumë institucione, që kanë numër të madh të punëtorëve, kanë nga dy organizma gjë që, sipas Shoqërisë Civile, vë në pah edhe faktin se sindikatat janë të politizuara. Punëtoret e arsimit, ata që punojnë në Postën dhe Telekomin e Kosovë dhe punëtorët e RTK-së, janë vetëm disa nga ata që kanë paralelizma në organizimin e tyre sindikal. Në sindikata nuk besojnë as vetë punëtorët.