Punëtorët shëndetësorë kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt të procedojë Projektligjin për Pagat.
Lexoni të plotë njoftimin e Kryesisë së Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës:
Kryesia e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës në mbledhjen e mbajtur me datë 06.07.2018, ka diskutuar për Projektligjin mbi Pagat gjegjësisht për rangimet në tabelën e koeficientëve arriti në këto konkluzione:
- “Punëtorët shëndetësor të kenë vend meritor në shoqëri(në rangimintabelar)sipas përgatitjes shkollore, kohëzgjatjes së përgatitjes profesionale dhe përgjegjësisë në punë.
- Ju përkujtojmë që punëtorët shëndetësor për çdo ditë po përgatiten për migrim jashtë vendit, jo pse nuk e duan profesionin, jo pse nuk duan ti shërbejnë popullit të vet, por janë lodhur nga trajtimet inferior të deritanishme.
- Në mënyrë kategorike e kundërshtojmë kategorizimin dhe për këtë ditët në vijim pos bisedimeve do të marrim qëndrim edhe për masat radikale sindikale.
- Apelojmë tek të gjithë faktorët relevant qofshin politik apo jo politik që të mos bëjnë pazare në kurriz të punëtorëve shëndetësor sepse është koha e fundit që 20 vite pas çlirimit ta marrin vendin e merituar në shoqëri.
- Kërkojmë që sa më shpejt Qeveria të procedojë projektligjin për miratim në Kuvend,
- Në vazhdën e këtyre kërkesave Kryesia e FSSHK-së kërkon takim urgjent me Ministrin e Shëndetësisë për harmonizimin e qëndrimeve dhe propozimeve në raport me Projektligjin e propozuar.
Në fund edhe njëherë duke qenë sa më korrekt me plotë përgjegjësi e themi se FSSHK-së në të gjitha etapat e ka treguar vullnetin për ruajtjen e paqes sociale në Republikës së Kosovës, mirëpo në këtë momentum për ne është plotësisht e papranueshme kategorizimi i punëtorëve shëndetësor dhe vendi i tyre në shoqëri propozuar nga sponzorizuesit e këtij Projektligji.