Dyfishimi i rrogave për kryeministrin, ministrat, prokurorët dhe gjyqtarët ka ngritur pakënaqësi të shumta. Krahas tyre, rritja prej 4% po konsiderohet si shumë e vogël edhe nga Sindikata e Arsimit. Kryetari i kësaj sindikate, në një prononcim për Gazetën Express, ka bërë të ditur se së bashku me Sindikatat e Pavarura do të dalin me një qëndrim lidhur me kërkesën e tyre, pa e përjashtuar edhe mundësinë e futjes në grevë.
Rrahman Jasharaj i tha Gazetës Express që së shpejti kryesia ekzekutive dhe këshilli drejtues i BSPK-së do të vendosë cilat janë veprimet e përbashkëta në rast se kërkesat nuk plotësohen.
“Kemi konsideruar se federatat veç e veç nuk do të kishin ndonjë arritje, përveç se nëse do të shkonim të gjitha bashkë. SBASHK-u është kundër ngritjes 4%, por këtë çështje jemi marrë vesh që ta ngritim së bashku dhe të marrim vendime sindikale në kuadër të BSPK”, tha ai.
Ata po kërkojnë ose rritje mbi 10% ose 4% rritje të vlerës momentale të rrogës që merr kryeministri Ramush Haradinaj. E përkthyer në numra shuma të cilët Sindikatat kërkojnë që të ketë rritje është përafërsisht 120 euro.
“Ne nuk e pranojmë dhe kjo është marrëveshje në kuadër të të gjitha federatave, në takimet që kemi pasur BSPK ka dalë publikisht me një ide, që rritja e pagave të jetë 4%, po të jetë ai 4% i vlerës së pagës momentale që merr kryeministri”, shtoi Jasharaj.
Rritja e pagave po shihet si zgjidhje e situatës në të cilët gjendet arsimit, krahas sektorëve të tjerë. Mirëpo, rritja në atë përqindje të cilën kërkon SBASHK-u po shihet e pamundur sepse buxheti i Kosovës nuk mund të përballojë.
“Ministri i Arsimit ka thënë se me tërë mundësitë dhe kënaqësitë do të angazhohen, mirëpo mundësitë buxhetore nuk e lejojnë një rritje të tillë, së paku 10% ne kemi kërkuar, që nëse do të kishte një rritje të tillë do të kishim një situatë ndryshe edhe në arsim edhe në sektorët tjera”, bëri të ditur kryetari i SBASHK-ut.
Vendimi për greva do të merret së shpejti, atëherë kur kryetari i BSPK, Avni Ajdini dhe sindikatat të mbajnë një takim dhe të marrin një qëndrim për këtë çështje.
Kujtojmë se që nga 1 janari të gjitha kategoritë e të punësuarve që marrin pagë nga buxheti i Republikës se Kosovës kanë marrë rrogë me rritje në nivelin 4% mbi pagën bazë.
Express ka raportuar se me rritjen e pagave të prokurorëve dhe qeveritarëve nuk po pajtohen edhe mjekët. Ata kanë paralajmëruar grevë që fillon nga sot me kërkesë kryesore rritje të pagave.
Lexo më shumë në: http://www.gazetaexpress.com/lajme/sindikatat-kerkojne-rritje-prej-4-te-pagave-krahasuar-me-ate-qe-merr-kryeministri-haradinaj-492793/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright