Singapori miraton ligj kontravers për lajmet e rreme

Prishtinë | 09 Maj 2019 | 15:45 | Nga Ekonomia Online

Singapori ka miratuar një ligj kontravers kundër lajmeve të rreme, përmes së cilit Qeveria ka fituar kompetenca për të monitoruar platformat online si dhe grupet private të diskutimeve.

Kjo Qeveri tani ka të drejtë që të largojë nga platformat online deklarata që i konsideron të rreme, apo ato që janë “kundër interesit publik”.

Sipas autoriteteve, ky ligj synon të mbrojë qytetarët nga ligjet e rreme, pavarësisht pse kritikët e konsiderojnë atë si kërcënim serioz për liritë civile.

Kritikët po ashtu kanë thënë të mos jenë në dijeni se si do të zbatohet ky ligj në aplikacionet që mbrojnë të drejtën e përdoruesve për privatësi, siç janë WhatsApp dhe Telegram.

Pavarësisht kësaj, ligji i miratuar është thënë se do të nisë së zbatuari në javët e ardhshme.

Qeveria ka insistuar se ky ligj nuk do të përdoret për të shënjestruar opinionet, mirëpo vetëm deklaratat e rreme që mund të shkaktojnë dëm.

Sipas këtij ligji, personat që dënohen për kryerje të veprave të tilla, pra deklaratave të rreme, mund të dënohen deri me pesë vjet burgim.

Organizata ndërkombëtare, Amnesty International ka thënë se ky ligj do t’iu japë fuqi autoriteteve të Singaporit për të shuar zërat që e kundërshtojnë.

Me këtë ligj, Singapori u është bashkuar shteteve si Rusia, Franca dhe Gjermnia, të cilat në muajt e fundit kanë miratuar ligje të ashpra kundër lajmeve të rreme apo gjuhës së urrejtjes.

Në Indeksin për Liri të Shtypit, ky vend është renditur së fundmi në vendin e 151-të nga 180 sa janë në total.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme