Në territorin e Serbisë (qendrore, siç e quan Beogradi – plotësim ynë) janë 201.077 persona të zhvendosur nga Kosova, ose 15 mijë sish më shumë se në vitin 2.000.
Këto janë të dhëna në Raportin e Komesariatit për refugjatë e migracione të Serbisë, me titull “Gjendja dhe nevojat për personat e zhvendosur inter”, bën të ditur agjencia serbe e lajmeve FoNet.
Po sipas këtij burimi, nga këta 76 për qind janë serbë, afër 15 për qind romë, 2,79 për qind malazezë, 1,96 boshnjakë dhe 1,54 për qind goranë.
Raporti thekson se personat e zhvendosur intern kanë pasur në Kosovë 12 mijë shtëpi, mbi 3 mijë apartamente, rreth 6 mijë parcela të tokës bujqësore dhe mbi 400 njësi hapësirash banesore.
Po sipas këtij burimi, 20 për qind e pasurive të tyre janë të uzurpuara, ndërsa 13 për qind janë me pronësi të kontestueshme. Theksohet se rreth 4 për qind e pronave janë shitur, ndërsa vetëm 0,21 për qind janë shkëmbyer. Raporti shton se 56 për qind e pronave të personave të zhvendosur intern është shkatërruar, ndërsa 11 për qind e tyre aq është dëmtuar se është e pabanueshme.
Vetëm 5 për qind e personave të zhvendosur intern të evidentuar në Serbi janë kthyer në Kosovë, ndërsa mendojnë të kthehen vetëm 1.165 persona.
Beogradi shpesh jep shifra për numrin e serbëve në Kosovë, në veri e jug të Ibrit, që shkojnë deri në rreth 200 mijë sish. Sipas kësaj matematike serbe në Kosovë do të duhej të ishin mbi 400 mijë serbë.
Të kujtojmë se sipas regjistrimit të organizuar e të kryer nga Beogradi në Kosovë në vitin 1991 ka pasur 194.190 serbë. E pra serbët gjithmonë kanë pasur natalitet të ulët dhe del absurd shifra prej mbi 200 mijë serbëve të zhvendosur nga Kosova në Serbi.