Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është duke bërë përgatitje për vizitën e tij në Kosovë muajin e ardhshëm, në kohën kur ideja për shkëmbimin e territoreve ka shkaktuar polemika dhe debate të shumta.
‘Guardian’ shkruan se Vuçiq dhe homologu i tij kosovar Hashim Thaçi kanë vendosur për vazhdimin e bisedimeve në Bruksel në përpjekje të arritjes së një marrëveshje për normalizimin e raporteve ndërmjet dy shteteve, dhe të hapin rrugën drejt anëtarësimit në BE në kohë afatgjate, transmeton RTK.
Gazeta britanike përkujton se ka shqetësime rreth ndarjes eventuale të Kosovës, e cila sipas kritikëve do të hapte “kutinë e Pandorës” në Ballkan gjë që mund të çojë drejt problemeve në Bosnje dhe Maqedoni.
Vuçiq do të shfrytëzojë vizitën e tij më 9 shtator për të treguar qëndrimet politike të shtetit serb ndaj Kosovës. Më herët gjatë këtij muaji ai u shpreh për korrigjimin e kufijve, e cila nënkupton kalimin e veriut të dominuar nga pakica serbe në Serbi.
“Marrëveshja do të ishte finale dhe historike, pasi do t’u jepte fund mosmarrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë një herë e përgjithmonë”, tha Bekim Çollaku, shef i stafit të presidentit të Kosovës.
“Të dy palët, përfshirë bashkësinë ndërkombëtare, po mendojnë shumë, madje jashtë kornizave, me kujdes në mënyrë krijuese, duke u përpjekur të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët. Objektivat e Kosovës janë të qarta: nuk ka ndarje sipas vijave etnike, por po për rregullimin paqësor të kufirit dhe njohjen reciproke”, shton ai.
Raportet sugjerojnë se Lugina e Preshevës, e dominuar nga shqiptarët, do t’i bashkëngjitej Kosovës si pjesë e shkëmbimit të territoreve.
Pavarësisht kundërshtimit të kancelares gjermane Angela Merkel kundër ndryshimit të kufijve, shefi i diplomacisë serbe Ivica Daçiq, është takuar me këshilltarin e presidentit amerikan Donald Trump, Jared Kushner në korrik për të diskutuar lidhur me ndarjen.
“Ata po diskutojnë dhe opsione të ndryshme janë në tryezë, “tha një burim i qeverisë serbe.
“Pozicioni amerikan po ndryshon tërësisht kundër ndarjes në gatishmërinë për të diskutuar këtë opsion. Franca është gjithashtu mjaft pozitive. Gjermania nuk është, “shton ky burim.
Një burim i Qeverisë së Kosovës konfirmoi se “disa në bashkësinë ndërkombëtare janë gjithnjë e më të hapur ndaj idesë për ndarje”.
Të dyja palët konsiderojnë se arritja e marrëveshjes finale mbetet një sfidë serioze, por asnjëra prej tyre nuk ka propozime konkrete dhe se Beogradi është duke mbajtur sekret taktikat e negociatave.
“Ne kemi shumë probleme në vend. Askush nuk është gati të mendoj vetëm për zgjidhjen,” thotë një burim serb.
Kritikët paralajmërojnë se korrigjimi i kufijve në vija etnike do të ishte një precedent i rrezikshëm për pjesët tjera të Ballkanit, pas luftërave të përgjakshme pas ndarjes në ish-Jugosllavisë.
“Plani i keq i ndarjes etnike-territoriale në Kosovë do të na kthejë në tmerrin e viteve 1990”, tha igumeni Sava Janjiq nga manastiri ortodoks serb Deçan.
Sipas tij, ideja e territoreve etnikisht të pastra do të bëhej një model që do të krijojë efekte të forta në të gjithë Evropën dhe do të forcojë ideologjitë radikale, andaj komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë një qëndrim të fortë.
Por, Çollaku insiston se një zgjidhje e pranueshme nuk do të destabilizojë rajonin dhe nuk do të ketë efekt domino.
Çdo marrëveshje rreth territoreve po shikohet nga afër në Bosnjë e Hercegovinë, ku serbët lokalë vazhdimisht kërcënojnë me ndarje.
“Ndarja e Kosovës mund të hapë Kutinë e Pandorës në Ballkan në kërkim të zgjidhjeve mbi parime etnike,” thotë një ish-ministër i Jashtëm i Bosnjë dhe Hercegovinës.
Çdo ndarje do të ishte gjithashtu e papëlqyeshme në Kosovë, ku pushteti i Thaçit po pakësohet. Presidenti ishte kreu politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) gjatë kohës së luftës, por po përballet me një kërcënim të mundshëm nga një gjykatë e sapokrijuar për krime të supozuara nga anëtarët e UÇK-së, duke përfshirë drejtuesit e elitës aktuale politike, shkruan Guardian.
“Forca lëvizëse për dialogun e ri duket të jetë qëllimi i Vuçiqit për t’u afruar më thellë me BE dhe më thellë brenda Kosovës, dhe dëshira e Thaçit për t’u larguar nga gjykata e specializuar dhe për të zgjatur fuqinë e tij”, tha Albin Kurti, udhëheqësi i Vetëvendosjes.