Korrupsioni në sistemin gjyqësor ka evoluar dhe është bërë më i sofistikuar, duke u zhvilluar me këmbim të favoreve më shumë sesa ofrim të parave. Ndikimi politik është një nga shkaqet kryesore të korrupsionit në gjykata si dhe qasja e dobët në informata janë vetëm disa nga të gjeturat e raportit “Transparenca dhe Efikasiteti i Gjykatave Themelore të Kosovës” të përgatitur nga DemokraciaPlus dhe Programi i USAID-it për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë.
Roberta Osmani, menaxhere e Projektit nga DemokraciaPlus, teksa prezantoi të gjeturat e raportit, tha se ato ndikojnë në mbarëvajtjen e punës së gjykatave.
“Sistemi gjyqësor në Kosovë përcillet me një mori kritikash për mosefikasitet apo edhe për korrupsion.”
Sipas Osmanit, 34% e qytetarëve të intervistuar kanë deklaruar se ka qenë jashtëzakonisht e vështirë të merret informacion për landën e tyre.
“Në 34% hyjnë të anketuarit që thanë se është jashtëzakonisht e vështirë që të marrin informacione për lëndën e tyre. Ndërsa, vetëm 17% i përdorin webfaqet e gjykatës. Më së paku nga të gjitha gjykatat tjera, në Prishtinë vetëm 10% e kanë përdorur webfaqen e Gjykatës Themelore në Prishtinë”.
Ndërsa sa i përket periudhës kohore që një gjykate i duhet për të trajtuar një lëndë, 42 % e të anketuarve kanë deklaruar se merr kohë më shumë se 2 vite, madje disa kanë thënë që ky opsion duket pak në krahasim me kohëzgjatjen e lëndëve të tyre, deri në 5 apo edhe 10 vjet.
Shkaku më i rëndësishëm i korrupsionit në gjykata është ndikimi politik, raporton Ekonomia Online.
“Shkaku ma i rëndësishëm i korrupsionit në gjyqësor në ndikimi politik, ndikimi i palëve në proces. Në nivel vendi kryesisht në të gjitha gjykatat ndikimi politik është konsideruar si shkaku më i rëndësishëm i korrupsionit”.
Ndërsa, Andree Boname, udhëheqës i Programit për Fuqizimin e Sistemit të Drejtësisë në USAID, tha se të intervistuarit në përgjithësi kanë kritika negative për punën e gjykatave.
Sipas tij, duhet të punohet në rritjen e besimit te gjyqësori.
“Shumica e njerëzve nuk mendonë se kanë shërbime në Kosovë. Vlerësimet negative janë mundësi të mira për t’u avancuar më tutje. Zyra juaj për informim është një burim shumë i mirë për të arrritur këtë. Këto të dhëna tregojnë se kemi një distancë, një punë për të bërë për të rritë besueshmërinë e tyre. Njerëzit të cilat kanë përvojë me të drejtpërdrejtë kishin mendim më të mirë për gjykatën”.
Mirëpo Arben Hoti, zv.kryetar i Gjykatës Themelore të Prishtinës, tha se problemi kryesor i raporteve të tilla është se ato bëhen në perceptim të qytetarëve.
“Unë gjithmonë kam problem me këto raporte, sepse bazohen në perceptim. Duhet ta marrim si rekomandim dhe të mundohemi që të përmirësojmë shërbimet dhe punët e përditshme. Gjithashtu në disa raste dhënia e informatës në gjykatë është e ndaluar kur parashihet me ligj”.
Hulumtimi mbi Transparencën, Qasja dhe Efikasiteti i Gjykatave Themelor në Kosovë është realizuar me 817 persona të intervistuar në shtatë Gjykata Themelore dhe 317 avokatë.