Internisti Driton Vela ka njoftuar se Kosova e ka kaluar pikun sa i përket numrit të rasteve pozitive me koronavirus të shënuara brenda ditës.
Vela thotë se lakorja e rasteve të reja ka arritur kulmin dhe se tashmë ka tre ditë me radhë që vazhdon të bjerë.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Vela tha se bazuar në përqindjen e rasteve të reja të shënuara së fundmi në Kosovë si pasojë e përhapjes së variantit Omicron, në krahasim me atë Delta, aftësia e Omcironit për të shkaktuar dëme të mëdha është amortizuar dukshëm.
“Tashmë trendi edhe më i qartë, Kosova e kalon pikun, lakorja e rasteve të reja (mesatarja javore) vazhdon të bie për të 3ën ditë me radhë. Vala aktuale me omikron është konsideruar e rrezikshme nëse do të kishim shumëfish më tepër raste me të infektuar krahasuar me deltën. Edhe pse kjo ka ndodhur në shtete të ndryshme të rajonit dhe botës, në Kosovë piku i rasteve të reja është vetëm +68% (kjo vlerë mund të jetë më e ulët nëse e llogarisim edhe numrin më të madh të testimeve gjatë kësaj vale) në raport me deltën. Kjo dmth që aftësia e omikronit për të shkaktuar dëme të mëdha është amortizuar dukshëm”, ka shkruar ai.
Vela më tej ka treguar se numri i fataliteteve aktualisht është 4.24 për qind e totalit të deltës. Një përqindje pak më e lartë është shënuar edhe në numrin e pacientëve të hospitalizuar dhe të atyre në trajtimin intensiv.
“Nëse vazhdojmë kështu kjo do të jetë vala me më së paku pasoja (hospitalizime, fatalitete) që nga pranvera e vitit 2020 dhe pa diskutim vala më e lehtë e tërë pandemisë me këtë nivel modest të kufizimeve! E gjithë kjo pa lockdown, pa kufizime të ashpra të cilat i kemi parë nëpër Evropë”, ka shkruar më tej Vela.