SIPRI: Serbia furnizohet kryesisht me armë nga Kina dhe Rusia, ndërsa përdor tensionet për të justifikuar armatimin

Prishtinë | 11 Mar 2026 | 13:38 | Nga Ekonomia Online

Të dhënat e publikuara nga Stockholm International Peace Research Institute (SIPRI) tregojnë se Serbia në pesë vitet e fundit ka importuar sisteme të avancuara armatimi nga 13 vende, ndërsa furnizuesit kryesorë kanë qenë Kina dhe Rusia.

Sipas raportit, Kina ka qenë partneri më i madh në furnizimin me sisteme të mbrojtjes ajrore me rreze të mesme, ndërsa donacionet më të mëdha për Serbinë kanë ardhur nga Rusia dhe Bjellorusia. Ekspertët theksojnë se Beogradi ka shfrytëzuar edhe ndryshimet në sigurinë globale dhe konfliktet ndërkombëtare për të rritur investimet në armatim.

Në të njëjtën kohë, Serbia ka përdorur edhe zhvillimet rajonale për të përforcuar narrativën se është e rrezikuar. Një shembull është reagimi ndaj bashkëpunimit të sigurisë mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, të cilin zyrtarët serbë e kanë paraqitur si kërcënim për Serbinë.

Megjithatë, sipas ekspertëve, ky bashkëpunim nuk përbën një aleancë ushtarake, por kufizohet kryesisht në ushtrime të përbashkëta, trajnime dhe koordinim aktivitetesh, që në shumicën e rasteve zhvillohen në kuadër të NATO-s.

“Një rritje e ndjeshme e përqindjeve shpesh duket dramatike, por kur kombinohet me retorikë të ashpër politike dhe raportime sensacionaliste, krijon një ndjenjë pasigurie midis fqinjëve dhe shërben si justifikim për investime të reja ushtarake”, thuhet ne raport. /Vijesti

Të ngjashme