Siria mban zgjedhje nën diktatin e Asadit, kundërshtarët i cilësojnë si farsë

Prishtinë | 19 Kor 2020 | 15:14 | Nga Ekonomia Online

Siria është duke mbajtur zgjedhje parlamentare të dielën. Vendi është duke u përballur me ekonomi të shkatërruar dhe sanksione të reja amerikane pasi presidenti Bashar al-Assad e ktheu kontrollin në pjesën më të madhe të vendit.

Sirianët kanë mundësi të votojnë në mbi 7,000 qendra votimi në mbarë vendin, përfshirë zonat e kontrolluara dikur nga rebelët, që janë marrë nën kontroll nga forcat qeveritare në dy vjetët e fundit, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.

Kundërshtarët e Assadit i cilësuan këto zgjedhje si farsë, në kohën kur vendi po vazhdon të mbetet në një luftë që filloi para gati një dekade. Qindra mijëra njerëz janë vrarë dhe miliona të tjerë janë bërë refugjatë.

Këto zgjedhje fillimisht ishin planifikuar të mbahen në prill, por u shtynë dy herë për shkak të pandemisë. Në një qendër votimi në kryeqytetin Damask, shumë votues thanë se janë të brengosur për rritjen e kostos së jetesës.

“Ne duhet të gjejmë një zgjidhje për kushtet e jetesës”, tha Samer Mahmoud, pronar i një dyqani të rrobave.

“Me vullnetin e Zotit, shpresoj t’i tejkalojmë këto sanksione”, tha Mouna Sukkar pas hedhjes së votës në kutinë e votimit.

Më shumë se 1,600 kandidatë, shumë prej të cilëve biznesmenë të njohur, po garojnë për të siguruar një vend në 250 ulëset e kuvendit në zgjedhjet e treta pas fillimit të luftës.

Nga këto zgjedhje nuk pritet ndonjë rezultat befasues. Partia e Assadit, Baath, dhe aleatet e saj nuk kanë ndonjë opozitë të vërtetë dhe pritet të shënojnë fitore, duke e shënuar dekadën e dytë në pushtet.

Të ngjashme