Pasi veprat e tij kanë shëtitur gjithandej botës, fillimi i korrikut, Sislej Xhafën do ta gjejë në Kosovë. Për dallim prej ekspozitave të tjera që organizon Galeria Kombëtare e Kosovës, ajo e Xhafës nuk do të ndalet vetëm në objektin e këtij institucioni. E as vetëm në Prishtinë.
“Love you without knowing” (Të dua pa e ditur) prej 5 korrikut deri më 25 gusht, do të shtrihet në Prishtinë e Pejë. E kuruar nga Jérôme Sans, ekspozita që përmban një sërë veprash të Xhafës është e para e artistit në Kosovë dhe vjen një vit pasi ai përfaqësoi Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia me veprën “Lost and found” (E humbur dhe e gjetur).
Të enjten e 28 korrikut “Baseni me dymbëdhjetë ketra” është vepra që do të zërë vend tek “Shtegu i shëndetit” në Pejë. Sipas njoftimit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, “Bilbili” është vepra tjetër, që në mbrëmjen e asaj dite do të jetë në sallën e Kuvendit të Kosovës në bashkëpunim me Ansamblin e Komunës së Gjakovës.
E “Lepuri i bardhë” do të grumbullojë një pjesë të veprave të Xhafës në objektin e GKK-së.
“Në ekspozitën e parë individuale në Kosovë, Xhafa do të prezantohet me projektin e ri ‘woven soil’ dhe me një përzgjedhje retrospektive veprash të realizuara gjatë karrierës së tij 20-vjeçare, të ekspozuara në muzetë më të njohur botëror”, shkruhet në njoftimin e GKK-së.