Lansimi i ueb-faqes së Policisë së Kosovës për publikimin e gjobave në trafik, po vazhdon të ketë probleme teknike.
Një gjë të tillë e ka pranuar edhe vetë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, i cili i ka ftuar qytetarët që t’i përmirësojnë gabimet duke i dërguar fletëpagesat në stacione policore. Njohës të teknologjisë informative thonë se me këtë platformë, të dhënat personale të qytetarëve janë të mbrojtura.
Platforma online e Policisë së Kosovës për publikimin e gjobave të trafikut të shqiptuara ndaj qytetarëve të vendit, vazhdon të kenë gabime edhe një javë pas lansimit.
Një gjë të tillë e ka konfirmuar për televizionin publik edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi, i cili i ka ftuar qytetarët që vetë t’i përmirësojnë gabimet.
“Në mungesë të një sistemi të unifikuar të të gjitha institucioneve, si policia, gjykatat, bankat, ekziston edhe mundësia e shfaqjes së ndonjë mosevidentimi i pagesave në kohë optimale që realizohet nga qytetarët. Në rastet kur ndonjë gjobë ka mbetur pa u futur në sistem, atëherë u kemi bërë ftesë qytetarëve që t’i vizitojnë stacionet më të afërta policore dhe të kontrollojnë a është shlyer tiketa e tyre, gjoba e tyre nga sistemi”, tha ai.
Mirëpo, njohësi i teknologjisë informative, profesori universitar, Blerim Rexha, thotë se ueb-faqja duhet të ofrojë mundësi që qytetarët të kenë mundësi t’i ngarkojnë të dhënat online, duke ua lehtësuar edhe atyre përmirësimin e gabimeve në këtë aspekt.
“Policia e Kosovës duhet urgjentisht për ata qytetarë që u figurojnë gjobat në sistem, të cilat ata i kanë paguar por policia nuk i ka freskuar ato shënime, të ofrojë mundësi që qytetarët përmes kësaj ueb-faqe t’i ngarkojnë dëshmitë përkatëse që i kanë gjobat e paguara. Për momentin është vetëm kjo pikë shtesë që duhet t’i shtohet këtij aplikacioni, sepse aplikacioni është sikur aplikacionet evropiane”, tha ai.
Ndërsa, sa i përket sigurisë së të dhënave personale të qytetarëve, profesor Rexha ka thënë se ueb-faqja është e teknologjisë së fundit sa i përket mbrojtjes së të dhënave.
“I vetmi shqetësim është se këtu mundën edhe personit të tjerë për palët e tjera t’i verifikojnë gjobat, por assesi që këto gjoba ose këto shënime të merren dhe të keqpërdoren nga të tjerët.”
Rexha ka thënë se i ka dhënë edhe si rekomandim institucionit të Policisë së Kosovës që të ofrojnë një kartelë biometrike, me të cilën qytetarët do të kishin qasje në të dhënat personale nga çfarëdo vendi.
Lexo më shumë në: https://www.gazetaexpress.com/lajme/sistemi-online-i-gjobave-te-trafikut-ende-me-probleme-teknike-558556/?utm_source=referral&utm_medium=web&utm_campaign=copyright