Koronavirusi është duke u përhapur në tërë Jemenin, ku tashmë sistemi shëndetësor “ka pësuar kolaps”, ka thënë OKB-ja të premten, duke kërkuar ndihma urgjente për këtë shtet, raporton Reuters.
“Agjencitë humanitare në Jemen thonë se përhapja e virusit është duke ndodhur nëpër tërë shtetin. Situata është alarmante dhe thonë se sistemi i shëndetësisë ka pësuar kolaps. Punonjësit humanitarë janë duke i refuzuar pacientët, sepse nuk kanë oksigjen mjekësor të mjaftueshëm dhe nuk kanë mjete mbrojtëse personale. Janë dërguar punonjës humanitarë me aeroplan të enjten, por në fakt vendasit janë duke e bërë punën kryesore në teren”, ka thënë Jens Laerke, zëdhënës i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Marrëdhënieve Humanitare.
Qendra kryesore për trajtimin e COVID-19 në Jemenin jugor ka regjistruar së paku 68 vdekje në dy javë, ka thënë organizata Medecins Sans Frontieres (Mjekët pa Kufij).
Jemeni i cili po shkatërrohet nga luftërat dhe popullata e paushqyer ka nivelin më të ulët të imunitetit për të luftuar sëmundjen, është i ndarë në mes qeverisë së përkrahur nga sauditët dhe kundërshtarët e tyre, grupi Hothi, që përkrahen nga Irani.
Autoritetet e Jemenit kanë raportuar 184 raste me infeksion dhe 30 vdekje, por thuhet se numrat janë shumë më të mëdhenj.
OKB-ja do të kërkojë 2 miliardë dollarë për Jemenin, për t’i ndihmuar programet humanitare deri në fund të vitit.