Situata në Fushë-Kosovë e menaxhuar dhe e qetë

Prishtinë | 27 Mar 2020 | 15:43 | Nga Ekonomia Online

Në mbledhjen e rregullt të shtabit të Krizës dhe Emergjencës që u mbajt nën drejtimin e kryetarit të Komunës Burim Berisha u tha se në komunën e Fushë- Kosovës, gjendja është e qetë dhe e menaxhueshme. Në komunën tonë nuk kemi ende asnjë rast të prekur nga COVID-19 dhe se popullata po i përmbahet rregullave për të qëndruar sa më shumë brenda.

Situata e sigurisë është e mirë kurse nga sot ka nisur dezinfektimi i të gjitha objekteve të banimit kolektiv me qëllim të krijimit të një ambienti sa më të pastër si masë preventive për parandalimin e përhapjes së koronavirusit COVID-19. Pjesë e dezinfektimit pra që nga sot janë edhe të gjitha rrugët e rrugicat e qytetit. Brenda pak ditëve do të fillon edhe dezinfektimi i rrugëve nëpër të gjitha fshatra.

Furnizimi me ushqim për familjet nevojtare është i mirë dhe nën monitorim të plotë të shtabit emergjent.

Në takim u tha se edhe mësimi po vazhdon sipas udhëzimeve të Ministrisë së Arsimit pra nga klasa e parë deri në të pestën është duke u mbajtur kurse nga java e ardhshme pritet të startohet edhe nga klasa e gjashtë deri në klasën e nëntë si dhe nga klasa e dhjetë deri në të dymbëdhjetën.

Komuna e Fushë Kosovës ka furnizuar QKMF “Fatmir Krasniqi” me material mbrojtës nga COVID-19, duke dhënë në dispozicion otoman shtretër, ekzaminues, kalaçe, dezinfektues etj. Pjesë e këtij dhurimi sot ishin edhe stacioni i policisë në Fushë Kosovë, komunitetin Rom, Ashkali dhe Egjiptas, QPS, Kompania “Pastrimi” dhe disa nga furrat e bukës në Fushë Kosovë ku ju shpërndanë rreth 4000 palë dorëza.

Duke falënderuar për bashkëpunimin e qytetarëve dhe të shumë bizneseve që po kontribuojnë për familjet në nevojë në komunën e Fushë Kosovës, Shtabi i Krizës Emergjente, apelon edhe një herë për të gjithë qytetarët që të ju përmbahen udhëzimeve nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik që të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre me qëllim të mbrojtjes nga pandemia COVID-19.

Të ngjashme