Bllokada e krijuar nga protestuesit serbë në afërsi të pikës kufitare në Jarinjë ka vazhduar edhe të martën, madje është rritur numri i veturave dhe pjesa e bllokuar e rrugës, raporton ekipi i Ekonomia Online nga vendi i ngjarjes.
Rreth 4-5 kilometra rrugë vazhdojnë të jenë të bllokuara nga serbët lokalë, të cilët po e kundërshtojnë vendimin e Qeverisë së Kosovës.
Policët e Kosovës, të armatosur me armë të gjata, në atë pjesë detyrohen të ecin këmbë, kur dëshirojnë të kryejnë ndërrimet e turneve.
Qeveria e Kosovës ka vendosur masën e reciprocitetit, duke mos lejuar qarkullimin e veturave me targa të Serbisë.
Veturat me këto targa, në hyrje të Kosovës duhet të marrin targa të përkohshme, njësoj siç obligohen qytetarët e Kosovës me targa RKS t’i ndërrojnë ato kur futen në Serbi.