Kryeministri shqiptar Edi Rama mbajti një takim në zyrën e tij me ish-pedagogen e Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, njëkohësisht edhe inxhiniere, Luljeta Bozon, së cilës i kërkoi ndihmë sa i takon fazës së ekspertimit të godinave të dëmtuara në tërmetin e 26 nëntorit.
Në takimin që pati në fokus dëmtimet e tërmetit u tha se deri më tani nuk është dënuar asnjë arkitekt apo inxhinier si përgjegjës për dëmet e shkaktuara.
Bozo u shpreh se licencat e inxhinierëve apo arkitektëve nuk duhet të jepen nga ministria por nga Urdhri i Inxhinierëve.
“Duhet të ecim me një platformë se si të organizohet ndërtimi. Nuk ka një të dënuar për cënimin e lejes së ndërtimit. Më jep energji. Ishalla në moshën tuaj unë kam gjysmën e energjisë suaj. Jeni një burim sigurie më shumë për njerëzit. Ne po bëjmë një paketë të standardeve të riparimeve”, u shpreh Rama.
Luljeta Bozo është tanimë një figurë mjaft popullore për publikun shqiptar, prej reagimeve të saj të shumta sa i takon çështjes së standardeve të ndërtimit në Shqipëri.