Pas vrasjes së politikanit, Oliver Ivanoviq, situata në Mitrovicën e veriut raportohet e qetë, por e tensionuar.
Zëvendësdrejtori Rajonal i Policisë së Kosovës për veriun, Besim Hoti, thekson se atmosfera në qytet është e tensionuar për çka qytetarët ndjehen të pasigurt.
“Lusim qytetarët të cilët kanë informacione për rastin, të njëjtat t’ia transmetojnë policisë në mënyrë që të zbulohen autorët e kësaj vepre, por edhe të parandalohen të tilla në të ardhmen”, tha Hoti.
Qytetarët nga ana e tyre shprehen të shqetësuar, por edhe të befasuar nga vrasja e Ivanoviqit.
“Të vrasësh një njeri është e paimagjinueshme, sepse ne ngelëm këtu dhe dhamë shumë mund që të mbesim këtu. Nuk dimë kush është kryerësi, prandaj do të heshtim deri në zbardhje të rastit, por jam skeptik se do të bëhet”, tha shtetasi Rade Nedelkoviq.
Vrasja e Oliver Ivanoviqit është dënuar ashpër nga zyrtarët ndërkombëtarë, por edhe nga ata vendorë, duke u bërë thirrje autoriteteve të shtetit që të zbardhin rrethanat e vrasjes.
Mëngjesin e sotëm, lideri i Nismës Qytetare “Liri, Demokraci, Drejtësi”, Oliver Ivanoviq, është qëlluar me armë zjarri para zyrës së tij në pjesën veriore të Mitrovicës.