Dogana e Kosovës gjatë periudhës janar-mars 2018 ka arritur të hyra në vlerë rreth 212 milionë euro ose dy për qind më shumë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2017.
Gjatë kësaj periudhe, ndikim te të hyrat nga importi kanë pasur politikat fiskale të cilat kanë hyrë në fuqi më 1 janar 2018, që favorizojnë ulje taksash në kategori të caktuara, si stimulim i zhvillimit ekonomik, shkruan KP.
Për këtë tremujor vlera e mallit që është liruar nga taksat në import është 55 milionë euro dhe ndikimi në taksa ka qenë 12.6 milionë euro vetëm nga lirimet për lëndën e parë dhe inputet që përdoren në proces të prodhimit, ku krahasuar me tremujorin e vitit të kaluar lirimet nga taksat në import kanë shënuar një rritje prej 116%.
Sipas Doganës së Kosovës, kategori tjetër që ka ndikuar në të hyra është edhe MSA-ja, ku përgjatë kësaj periudhe ndikimi nga MSA është rreth 8.8 milionë euro apo rreth 41.6% më shumë se sa periudha e njëjtë e vitit të kaluar.
Gjithashtu efekti i vendimit në kufizimin e veturave në import deri në 10 vite, ka ndikuar që të ketë rënie të importit të veturave të përdorura për 46% dhe efekti negativ në të hyra vetëm për ketë 3 muaj te kategoria e importit të veturave të përdoruara është 4 milionë euro.
Sa i përket eksportit, në sasi ka shënuar një rënie prej 15.63%, ndërsa në vlerë shënon rritje prej 2.59% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.