Janë bërë dy muaj që prej se ratifikimi i demarkacionit është hequr nga rendi i ditës në Kuvendin e Kosovës dhe nuk është rikthyer më.
Që nga ajo kohë çështja e kufirit të Kosovës me Malin e Zi me ratifikimin e të cilit është kushtëzuar liberalizimi i vizave për kosovarët ka mbetur e hapur.
Mirëpo sipas tyre kjo marrëveshje do të arrihet vetëm kur subjektet opozitare dhe etnike të heqin dorë nga interesat e tyre politike.
Deputetët nga Lidhja Demokratike e Kosovës, thonë se marrëveshjen për demarkacionin nuk e ka ndalur as opozita as “lista serbe” por vetë deputetët e pozitës.
E tabori opozitar mbetet me mendim të prerë se demarkacioni nuk duhet të kthehet më në kuvend.
Krejt në fund politologët dhe analistët nuk kanë shpresë së gjatë këtij legjislacioni do të përfundojë ky proces. Madje ata propozojnë që kjo marrëveshje të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit.
Kosova e Mali i Zi kanë nevojë për një marrëveshje të re
Në ekzekutivin e vendit deklarojnë se demarkacioni nuk është vetëm obligim i strukturës qeverisëse.
Këshilltari i kryeministrit, Bajram Gecaj, ka thënë se Qeveria i ka votat për të kaluar këtë marrëveshje mirëpo kërkon përkrahje nga gjithë spektri politik.
“Është theksuar shpesh se qeveria nuk i ka numrat, dhe unë ju them se për të qeverisur duhen 61 vota, ndërsa proceset e rëndësisë nacionale nuk janë vetëm obligim i strukturave qeverisëse. Andaj, ky proces do të mund të shtyhet para vetëm atëherë kur edhe subjektet tjera politike (opozitare dhe etnike) të heqin dorë nga (keq) përdorimin i proceseve të rëndësisë së përgjithshme për interesa të pastra politike parciale”, ka thënë për Gazetën “Zëri”, Gecaj.
Ndërkaq, deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Adem Salihaj vlerëson së procesi i demarkacionit është një lloj “timeouti”, që pret zhvillime.
“Çështja e demarkacionit nuk është e mbyllur, ajo pret një zgjidhje adekuate. Unë nuk besoj që ka kushte që ajo të rikthehet në kuvend. Zgjidhja është te rihapja e çështjes për ri negocim me Malin e Zi. Të dy shtetet kanë nevojë për një marrëveshje të re për demarkacionin”, ka deklaruar Salihaj.
Ai pengimin e demarkacionit e ka vlerësuar kryekëput si punë të deputetëve të pozitës.
“Këtë marrëveshje nuk e kanë ndalur as deputetët e opozitës. Marrëveshjen për demarkacionin e kanë ndalur deputetët e pozitës, sepse vetëm ata e kanë fuqinë e votës në kuvend për ta bërë këtë”, ka përfunduar ai.
VV: Qeveria e vulosi dështimin e demarkacionit
Në Lëvizjen Vetëvendosje insistojnë që demarkacioni të kthehet në zero.
“Këto ditë kur do të duhej që kjo çështje të mos jetë në diskutim më, Qeveria po përpiqet që të flasë për modalitete e zgjidhje, por e vetmja zgjidhje mbetet kthimi në pikën zero dhe një version i ri i demarkacionit”, ka thënë deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu.
Ajo ka konstatuar se edhe përkundër vonimit të Qeverisë për ndryshimin e këtij versioni ajo përveç këtij opsioni nuk ka tjetër zgjidhje.
“Ne, por edhe vetë zyrtarë brenda ekzekutivit i kanë konstatuar problemet që ka versioni aktual i demarkacionit. Përderisa qeveria nuk ka lëvizur nga pozicioni i saj i gabuar, ne kemi prezantuar edhe një plan konkret pesë piksh, i cili jep zgjidhjen se si demarkacioni të jetë në versionin që është në përputhje me Kushtetutën, me integritetin territorial të Kosovës dhe vullnetin e qytetarëve të shtetit tonë dhe rregullat e së drejtës ndërkombëtare”, ka shtuar Haxhiu.
Tutje Haxhiu ka shtuar se Qeveria e Mustafës është e pafuqishme e sipas saj një dështim i këtij legjislacioni do të ndodh së shpejti.
Qeveria nuk po merr guxim të rishqyrtojë demarkacionin
Çështja e demarkacionit është bërë pengesë kryesore për proceset e brendshme politike, ka vlerësuar Bali Muharremaj, deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).
“Kosova ka humbur territor të vetin, duke ia “falë” Malit të Zi! Qeveria jonë duke ditur se ka bërë gabim të rënde, nuk po e merr guximin ta rishqyrtojë edhe një here ketë punë. Ndaj, as negociatat e fundit me koalicionin qeverisës nuk prodhuan kurrfarë rezultati”, ka deklaruar ai.
Sipas Muharremajt ky proces nuk mund të mbyllet aq lehtë sepse bëhet fjalë për interesin e vendit.
“Ata qe marrin guximin te shkelin mbi ketë proces pa i dhënë zgjidhje, mbajnë përgjegjësi kombëtare e ligjore. Ne nuk do te ndalemi derisa ti jepet rruge kësaj çështjeje. Natyrisht, jemi për fqinjësi të mirë me vendet që na rrethojnë, por kjo nuk guxon të na zmbraps sa i përket kësaj kauze”, ka thënë ai.
Derisa ka vlerësuar se pushtetarët nuk kanë guxim të nxjerrin në votim ratifikimin pasi që vetë deputetët që janë pozitë e mohojnë këtë proces.
Vendi në ngërç politik për shkak të demarkacionit
Politologu Ramush Tahiri vlerëson se vendi ka hyrë në ngërç politik. Kurse koalicioni në këtë rast po tregohet jo efikas në vendimmarrje.
“Demarkacioni nga një proces krejtësisht teknik u shndërrua në proces politik . Tash po ofrohen panevojshëm zgjedhjet e përgjithshme për zgjidhjen e tij. Vendi ka hy ne vorbullën e kërcënimeve dhe kushtëzimeve që flet më shumë për një para politikë se sa për një politikë të mirëfillte demokratike e shtetërore”, ka thënë Tahiri për “Zeri.info”.
Ai më vonë ka thënë se Kosova po tenton të bart mosrealizimin e detyrave të saj në planin ndërkombëtar, duke u përlarë me BE-në rreth kritereve të anëtarësimit.
“Nuk po shoh ndonjë vizion dhe rrugëzgjidhje në ketë primitivizëm politik në ketë ashpërsim dhe në rrezikim të vlerave morale dhe të tjera në këtë përkeqësim të marrëdhënieve dhe në politikat joparimore”, ka përfunduar Tahiri.
Ndërsa analisti politik, Haki Abazi konstaton se demarkacioni është një punë kryer dhe diskutimet lidhur me të janë të tepërta.
“Çështja e demarkacionit ashtu siç është tani është punë e kryer dhe nuk ka se si të kalohet në asnjë mënyrë. Nuk duhet humbur kohë në tryeza të rrumbullta e as katrore”, ka thënë analisti politik, Haki Abazi.
Sipas tij që kjo çështje duhet dërguar në arbitrazhe ndërkombëtare në mënyrë që procesi të rifillojë nga e para me ekipe gjithëpërfshirëse dhe konsensus të plotë.
Derisa Abazi nuk e di se cili do të jetë qëndrimi i Qeverisë së re malazeze në lidhje me demarkacionin por nga bisedat me ta ai tregon se autoritetet e Malit të zi kanë treguar gatishmëri për këtë çështje.
“Nuk e di se si do të jetë qëndrimi i qeverisë së re në Mal të Zi por nga bisedat qe kam pasur atje autoritetet e Malit të zi kanë treguar gatishmëri dhe fleksibilitet të madh për të rishqyrtuar dhe për të shkuar në arbitrazhe. Kjo duhet të bëhet shpejtë për të mos parandaluar proceset dhe për të ruajtur marrëdhëniet me Malin e Zi”, ka përfunduar ai.