S’ka gjë më të keqe dhe më të dëmshme se libri i keq. Libri i keq është një zhgarravitje dhe një llomotitje e papërgjegjshme, pa punë të lodhshme, pa sakrifica të mundimshme, pa shkak të madh, pa arsye e lartë, pa talent, energji, ndjeshmëri, dashuri, frymëzim, përkushtim, vetëflijim.
Libri i keq është një çthurje e thurur pa magjepsje, pa dehje, pa dalldi, pa çmendje të bukur, pa marrosje të këndshme.
Libri i keq është një vjellje e kollajshme pa lodhje për t’u shprehur sa më shkurt dhe sa më bukur.
Libri i keq është një koleksion ligësish plot me përdredhje konformisti, insistim budallai, stoicizëm edepsizi, vuajtje të paafti, përpëlitje oportunisti, shkretëtirë shpirtërore materialisti.
Libri i keq është një ankth prej të cilit do të shpëtosh por s’di se si, do të ikësh, por s’di se ku.
Libri i keq, pa lodhje në secilën fjalë, pa mundim në secilën rrokje, pa vuajtje në secilën gërmë, pa mahnitje në secilin tingull, pa përdorim të filtrave artistikë që s’lejojnë të depërtimin e llumrave, pa atë misterin që të shkruarën e bën Art, pa atë delirin që të bën të fërgëllosh, pa atë dorën e padukëshme që ndez dritën e përtejme, pa atë flakën e zbehtë që leximin e bën të këndshëm dhe librin Letërsi, është një batak i amanozotshëm plot me zhaba, gaforre, gjarpërinj, insekte.
Libri i keq është një përpjekje e kotë për të mbushur me bosh një humnerë të dobishme.
Libri i keq është një kombinim situatash banale që s’bëjnë asnjë tablo, s’formojnë asnjë mozaik.
Libri i keq është një stinë e mërzitshme. Behar pa Dashuri. Dimër pa acar. Pranverë pa aroma. Vjeshtë pa fruta.
Libri i sotëm i këllirshëm është më i keq se libri i keq i diktaturës që na shkaktonte gajasje spasmatike.
Libri i keq i sotëm është një ferr që s’të bën të qeshësh por vetëm të vuash.
Libri i keq është shkaku që shumicës së shqiptarëve të sotëm u merren mëntë pasi
lexojnë një paragraf.
Libri i keq është arsyeja pse u duket vetja shkrimtarë po arritën të shkruajnë një rrjesht e gjysmë në kompjuter.
Libri i keq nuk ekziston për t’u lexuar.
Libri i keq ekziston për t’u shitur dhe për të bërë të njohur menderautorin e plehërveprës duke dëshpëruar lexuesin.
Libri i keq është mënyra me efikase për ta ndotur Tempullin e Artit duke i vënë kazmën Letërsisë.
Libri i keq nuk është për shqiptarë, as për njerëz.
Libri i keq është për gjallesa primitive të një planeti të largët ku e shkruara artistike pritet të nisi pas miliona vitesh.
Libri i keq është shpërdorimi më i përbindshëm që i bëhet Lirisë. Poshtërimi më i padenjë për një komb të vjetër. Dënimi më i pamerituar për një popull leximtarësh.