Për shkak të mungesës së kuorumit, Kuvendi i Kosovës ndërpreu punën të enjten dhe u paralajmërua se seanca do të vazhdojë të premten nga ora 10:00.
Në seancë ishin 54 deputetë prezent, derisa kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, propozoi një rezolutë që pritet të dalë në votim të premten.
“Kuvendi kërkon që në afat prej 48 orësh nga miratimi i kësaj rezolute, të zhvillojë negociatat e nevojshme me Këshillin e Grevistëve të BASPK-së apo personat të autorizuar, deri në zgjedhjen përfundimtare që siguron ndërprerjen e grevës.. Kërkojmë nga Qeveria që në një afat prej 5 ditëve nga miratimi i kësaj rezolute, të përfshijë përfaqësues të autorizuar të BSPK-së, në grupin punues për hartimin e projektligjit të pagave, para miratimit të tij në Qeveri dhe të marrë në konsideratë propozimet e tyre. Kërkojmë nga Qeveria të propozojë masat për adresimin e kërkesave të tjera të sindikatave”, tha Tahiri.
Në seancën e së enjtes u diskutua kryesisht për grevën në arsim dhe administratë publike që ka nisur më 25 gusht.