Kuvendi i Kosovës nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje në lidhje me votimin në parim të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore, raporton Ekonomia Online.
Në votim morën pjesë vetëm 51 deputetë, gjë e cila pamundësoi miratimin e projektligjit në lexim të parë.
“Vetëm 51 deputetë kanë votuar për këtë projektligj, Kuvendi nuk ka pasur kuorum për vendimmarrje”, ka konstatuar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Më pas kryeparlamentari Konjufca ka ndërprerë punimet e seancës, pasi sipas tij nuk ka kushte që të vazhdojnë tutje.
Projektligji që i hap rrugë rritjes së pagës minimale në Kosovë, ka dështuar të votohet edhe në muajin e kaluar. Prej 73 deputetëve të pranishëm në sallë vetëm 56 prej tyre kishin votuar për këtë projektligj.
Ndërkohë veteranët e UÇK-së kanë protestuar duke u futur brenda oborrit të Kuvendit, duke kërkuar që të mos përjashtohen nga Ligji për pagën minimale.
Derisa votohej, deputetë të PDK-së thirrnin “Marre, marre, marre”.